Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Marketet shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje.
Një ndër hajnat që dyshohet për disa vjedhje tashmë ka rënë në prangat e Policisë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Mustafë Ibrahimin, i cili është identifikuar pasi Policia kishin nisur hetimet për një rast të vjedhjes, që kishte ndodhur në lokalin “Viva Fresh” në Ferizaj.
I dyshuari, 43-vjeçar po dyshohet për së paku dy raste të vjedhjeve që kanë ndodhur në periudha të ndryshme, por që i njëjti kishte arritur ta shijojë lirinë duke qëndruar në arrati.
Pasi Policia e zbuloi të dyshuarin, 43-vjeçari u arrestua dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim policor, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren brenda afatit ligjor.
Kujtojmë se në pikat e Viva Fresh shumë shpesh ka pasur raste të tilla, të vjedhjeve dhe grabitjeve.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.