Në fshatrat e Prizrenit shumë deponi të egra të mbeturinave krijohen gjatë stinës së dimrit. Kjo situatë po ndodh nga faktori njeri pasi në brigjet e lumenjve po hidhen gjësende që nuk u duhen më qytetarëve.
Shumë orendi shtëpiake, që banorëve të fshatrave në Luginën e Lumbardhit nuk u duhen më në të shumtën e rasteve hidhen në brigjet e lumenjve, apo në skaj të rrugëve të këtyre fshatrave, duke krijuar kështu deponi të egra të mbeturinave.
Banorët e fshatrave të Luginës së Lumbardhit janë të vetëdijshëm se kjo gjendje e krijuar në natyrë shkaktohet nga faktori njeri.
“Tek ne problemi më i madh është se qytetaret ende nuk kanë nivelin e duhur të vetëdijesimit. Paguajmë komunën me pastrua mbeturinat. Gjuajnë për çdo ditë, ani që paguajmë për shërbimin, por situata është njëjtë. Ekoregjioni çdo të diele vjen këtu. Janë shumë të rregullt, përveçse kur ka shumë borë, atëherë nuk vjen”, tha Elvir Bregoviq nga fshati Lubinjë e Epërme.
Ndërsa, Shaqir Ibra nga fshati Lubinjë e Epërme thotë se e kanë të rregulluar shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, por se njerëzit janë të pakujdesshëm.
“Ne, qe disa vjet e kemi të rregulluar shumë mirë shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, dhe Ekoregjioni kujdeset për këtë çështje. Megjithatë, njerëzit ende kanë pakujdesi, nuk janë të përgjegjshëm dhe as të kujdesshëm ndaj natyrës. Shikoni lumenjtë tanë, ata janë stërmbushur me mbeturina dhe, deponi të egra kemi në shumë vende”, tha ai, RTK.
Drejtori i Inspektoratit në komunën e Prizrenit, Islam Ukimeri , thotë se ka mungesë të inspektorëve të mjedisit dhe se këto deponi po krijohen jashtë orarit të punës së inspektorëve.
Sipas Muhamet Bajramit nga Drejtoria për shërbime publike, pikat e zeza të deponive ilegale janë duke u identifikuar e më pas do të fillojnë intervenimin.
Pamjet me mbeturina në ambiente të hapura dhe lumenj të rajonit të Prizrenit po konsiderohen imazh i keq jo vetëm për banorët , por edhe për vizitorët e këtyre vendeve piktoreske.