Kopsht të fëmijëve nuk ka në fshatin e largët të Komunës së Vushtrisë ku jeton Marigona, një grua rreth të 40-tave, e cila përballet me problemin e përditshëm të gjetjes së kujdesit për djalin e saj 5-vjeçar, në mënyrë që ajo të mundet të udhëtojë për në kryeqytet, Prishtinë, rreth 30 kilometra larg, ku ajo kujdeset për një të moshuar. Edhe bashkëshorti i saj udhëton çdo mëngjes për Prishtinë për punë.
“Shkolla më e afërt na tha se nuk mund ta organizojnë kujdesin parashkollor sepse nuk kishin buxhet të ndarë, pasi që ushte i vogël numri i fëmijëve që familjet kishin kërkuar t’i regjistronin në shkollë,” thotë Marigona. Herë i lutet një personi të afërm dhe herë një fqinje që të kujdesen për fëmijën derisa të kthehet në shtëpi pasdite vonë.
Sfidë është edhe mungesa e transportit publik për udhëtimin që zgjat një orë deri në Prishtinë dhe më pas një orë tjetër për kthim në fshatin e saj. Së bashku me disa banorë nga fshati i saj, ajo e bën rrugën për në Prishtinë dhe kthim në formë të organizuar me një kombi. Transporti privat është i rrallë dhe më i shtrenjtë.
Marigona i përket pakicës së grave që janë të punësuara në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm rreth 20 për qind e grave në Kosovë marrin pjesë në fuqinë punëtore, që është një nga shkallët më të ulëta në botë.
“Kemi pasur punëtore që për herë të parë kanë dalë nga fshati i tyre dhe i kanë hipur autobusit kur kanë filluar të punojnë për ne”, thotë Borëbardhë Mazreku, pronare e një furre të suksesshme ëmbëlsirash në qytetin e vogël të Malishevës, në Kosovën qendrore, e cila punëson rreth dhjetë gra nga zona.
Ajo ia atribuon papunësinë e grave mungesës së mbështetjes financiare për ndërmarrësi, mungesës së informacionit për mundësitë e disponueshme, mungesës së arsimit dhe traditave të komunitetit në zonat rurale të Kosovës, të cilat i detyrojnë shumë gra të qëndrojnë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët dhe të moshuarit dhe për të gatuar ushqime për familjen e gjerë.
Në një studim të kohëve të fundit të Bankës Botërore, Gratë, Biznesi dhe Ligji 2023, i cili është strukturuar rreth ciklit jetësor të grave që punojnë në 190 ekonomi, Kosova mori 91.9 nga 100 pikë, një rezultat më i lartë se mesatarja rajonale e vërejtur në Evropë Lindore dhe Azi Qendrore (84.4). Rezultati i Kosovës është perfekt kur flitet për kufizimet ndaj lirisë së lëvizjes, ligjet që ndikojnë në vendimet e grave për të punuar, ligjet që ndikojnë në pagën e grave, kufizimet në lidhje me martesën, kufizimet për gratë për hapjen dhe drejtimin e një biznesi, dhe dallimet gjinore në pronë dhe trashëgimi. Megjithatë, kur flitet për ligjet që prekin punën e grave pas lindjes së fëmijëve, dhe ligjet që ndikojnë në masën e pensionit të grave, Kosova mund të konsiderojë reforma për ta përmirësuar barazinë ligjore për gratë.
“Kosova performon mirë në legjislacionin relevant për punësimin e grave dhe mundësitë për ndërmarrësi, por ka ende një hendek mes kornizës së përgjithshme ligjore dhe rregullative, dhe ndikimit të saj në praktikë në krijimin e mundësive ekonomike për gratë”, thotë menaxheri i Bankës Botërore, Massimiliano Paolucci. “Në anën tjetër, pa kontributin e grave në rritjen ekonomike do të jetë e pamundur të krijohet një Kosovë më e begatë”, shtoi ai, duke e shpjeguar këtë sfidë zhvillimore për Kosovën.
Aftësia për të kërkuar punë varet gjithashtu nga të pasurit e një mjedisi që lejon ndarjen e përgjegjësive të kujdesit, të cilat rëndojnë në masë të madhe mbi gratë. Normat tradicionale shoqërore në Kosovë ua caktojnë përgjegjësitë familjare pothuajse ekskluzivisht grave, ndërkohë që është e kufizuar qasja në kujdes me cilësi të lartë dhe të përballueshëm për fëmijët dhe të moshuarit, veçanërisht jashtë kryeqytetit dhe në zonat rurale.
Përkundër përmirësimeve në mesin e grupeve më të reja, gratë në Kosovë ende paraqesin nivele më të ulëta të arsimimit sesa burrat. Rreth 50% e grave në moshë pune kanë arsim të mesëm të ulët ose më poshtë. Është e ulët shkalla e punësimit në mesin e personave me arsimim më të ulët, 30% tek meshkujt dhe 5% tek femrat. Gratë gjithashtu kanë më shumë gjasa të kenë mungesë të përvojës së punës sesa burrat: 70% e grave të grupmoshës 25-29 nuk janë në punësim, arsim apo trajnim.
Për t’i trajtuar këto sfida, vendet zakonisht përdorin një përzierje të politikave, stimujve dhe programeve që targetojnë drejtpërdrejt gratë. Në Kosovë kërkohet dialog i mëtejshëm për politikat për të përcaktuar se cilat politika janë motori më i mirë për këtë ndryshim.
Shërbimet e kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit duhet të ofrohen në përmasa më të gjera. Duhet të përmirësohet arsimimi i grave për të rritur gjasat e tyre për të punuar dhe cilësinë e punësimit të tyre. Shteti mund të ndërhyjë me politika mbështetëse menjëherë pas apo edhe para diplomimit, për të hapur mundësi për të fituar përvojë. Benefitet shëndetësore dhe sociale mund të reformohen për të ndihmuar më shumë për reduktimin e cenueshmërive për gratë në rast të sëmundjes ose humbjes së vendit të punës. Gjithashtu, mund të rritet disponueshmëria dhe të lehtësohet qasja në financa dhe stimuj të tjerë për gratë ndërmarrëse.