Mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, mospërshtatja me kushtet atmosferike e shpeshherë edhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar janë disa nga rregullat që vozitësit jo rrallë herë i shkelin. E si pasojë e kësaj, aksidentet dhe vetaksidentet janë të pashmangshme.
Edhe të shtunën ka ndodhur një vetaksident në fshatin Brekoc në Gjakovë, ku një automjet është rrokullisur dhe për pasojë shoferi ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Burime nga Emergjenca kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 37-vjeçar, i cili ka pësuar frakturë në boshtin kurrizor. I dyshuari që u lëndua rëndë fillimisht është trajtuar në Spitalin e Gjakovës, e më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të gjendjes serioze.
Siç mëson Sinjali, shkaktar i aksidentit dyshohet se ka qenë mosrespektimi i rregullave, ashtu që shoferi nuk e ka përshtatur shpejtësinë, duke përfunduar jashtë rrugës, ku për pasojë u rrokullis.
Në vendin e ngjarjes ka dalë një njësi e Policisë së Trafikut, teksa për rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.