6.2 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Puna i bën të mos e ndiejnë fort burgun, gratë në Lipjan të interesuara për më shumë trajnime

Ditën e fillon me punë në furrë, vazhdon në rrobaqepësi e pastaj në floktari, por kërkon mundësi edhe për të ndjekur trajnime të tjera. Kjo është një grua e privuar nga liria e cila jetën e bën në Qendrën Korrektuese në Lipjan tash e gjashtë vjet.

Ne kemi vendosur ta quajmë “Bletë” sepse ajo nuk ngurron të kryejë asnjë punë që i ofrohet dhe kjo është mënyra se si ajo po ndihet mirë dhe i duket sikur koha i kalon më shpejtë, shkruan kp.

“Në ora 07:00 të mëngjesit shkojmë në furrë për të punuar, jemi katër veta që shkojmë, prej orës 07:00 deri në 12:00 punojmë në furrë, prej 12:00 deri në 13:00 pushojmë në pavijon, pastaj vijmë këtu deri në orën 16:00, edhe me aktivitete të tjera, me kurse të tjera merremi… Edhe në floktari kur ka nevojë dikush të vijë të kryejë shërbimet, me i pre flokët, jemi këtu…. Këto punë bëhen krejt me dëshirë dhe na shkon koha me këto punë, unë edhe jashtë kam punuar me flokë…”, thotë ajo.

“Bleta” thotë se derisa është duke punuar ndihet më e qetësuar dhe larg stresit.

Ato që po i mëson shpreson t’i përdorë më vonë derisa thotë se synon të vazhdojë profesionin e saj prej floktareje por pse jo të bëjë edhe ndonjë punë tjetër për të cilën është trajnuar.

“Të vazhdoj profesionin tim me flokë, edhe disa gjëra këtu i kemi mësuar, shumë kurse kemi mësuar, kemi mësuar kursin e rrobaqepësisë, filigranit, jemi certifikuar, kemi kryer kursin e kompjuterëve, të furrtarisë, të kuzhinës, këto kurse janë shumë të mira për ne sepse në të ardhmen diçka tjetër njeriu e sheh vetën diku tjetër ndoshta ke qenë në profesion të gabuar tash e sheh që diçka tjetër është më e mirë për ty, kështu që shumë të mira janë kurset… Shumë është e rëndësishme sepse me punë, edhe bënë diçka të mirë për dikë, por edhe për nëse sepse e kalojmë kohën këtu dhe kur punon gjithmonë je më e qetësuar dhe nuk je e stresuar”, thotë ajo.

Bashkë me tri gra të tjera aty, deri tani “Bleta” ka punuar rreth 1300 çarçafë dhe këllëf jastëku për të gjitha institucionet korrektuese.

Ndërsa gjatë periudhës së pandemisë kanë qepur 22 mijë maska të cilat i kanë ofruar jo vetëm për institucionet korrektuese, por edhe për stacionet policore.

Gjithashtu, ato kanë punuar 207 çanta.

Përveç “Bletës”, aktualisht në Qendrën Korrektuese në Lipjan janë edhe 35 gra të tjera. Prej tyre, 14 të dënuara, ndërsa 22 të paraburgosura.

Katër prej tyre janë të punësuara në furrë, e cila është dhënë nga EULEX-i në vitin 2021, dhe aty përgatisin ushqim për tri institucionet korrektuese.

“Mëngjesin e hershëm zgjohemi nga gjumi, rregullojmë dhomat dhe dalim angazhohemi në punë, punojmë në furrë, punojmë me shoqet… Kjo mua më bën me u ndje mirë, mos me ndje fort burgun edhe pse një fatkeqësi na ka ndodhur dhe tash jemi këtu, puna mua më bën me u ndje mirë…Tash edhe jemi duke e bërë kursin për kuzhinier, me këto kurse çka të ka nevojë jam… Në furrë që një vit kemi filluar ndërsa në kuzhinë prej se kam ardhur që katër vite me kuzhinë jam marrë”, thotë ajo.

Në kuzhinë punojnë në dy ndërrime, gjithsej 8 të burgosura, të cilat ndihmojnë edhe me pastrim.

Përveç kësaj, në këtë qendër korrektuese janë zhvilluar trajnime edhe për filigran ku pesë prej grave janë certifikuar.

Ndërsa trajnimin për informatikë dhe teknologji e kanë përfunduar pesë të burgosura. e.

E pas trajnimit për teknologji, një nga të burgosurat ka ideuar një projekt të cilin synon ta realizojë gjatë periudhës së qëndrimit brenda.

“Unë veç e kam një projekt, e kam një ide, pasi që vetëm jemi në kohën e digjitalizimit dhe çdo gjë në kohën sot është digjitale, e kam menduar të ndaj një pjesë të jetës sime, të historikut tim, dhe ta shpërndaj me femra të tjera, të solidarizohem me të tjerat, të tregoj një pjesë të stories sime dhe t’ju them femrave të tjera që nuk jeni vetëm ju të vetmet, ka edhe femra të tjera dhe t’u jap kurajë femrave të vazhdojnë përpara dhe pa marrë parasysh çka ndodh në jetë mos me u dorëzua”, u shpreh ajo.

Për interesimin e të burgosurave në trajnime dhe aktivitete të ndryshme, tregon edhe instruktorja e rrobaqepësisë, Hasime Krasniqi.

“Ka të interesuara që edhe punojnë, edhe janë të angazhuara shumë mirë. Disa me të vërtetë punojnë edhe jashtë tash, pasi kanë dalë janë angazhuar disa prej tyre. Ky është një profesion që nuk të lë asnjëherë pa punë dhe pa para. Por janë të angazhuara, punojnë mirë dhe kanë dëshirë të mësojnë gjëra”, thotë Krasniqi.

Për të gjitha trajnimet që ndjekin, të burgosurat në Lipjan, pajisjen me certifikata të cilat shpresojnë t’u ndihmojnë kur të dalin nga burgu, në mënyrë që të gjejnë veten në njërin nga profilet. Ato certifikohen nga qendrat e aftësimit profesional dhe në ato certifikata nuk figuron vendi ku është ndjekur trajnimi.

Ndërsa, të dënuarit që nuk e kanë përfunduar shkollimin e mesëm, kanë mundësi ta vijojnë atë brenda institucionit korrektues. Në diplomat me të cilat pajisen figuron që shkollimi është përfunduar në shkollën e mesme të qytetit ku është i vendosur institucioni korrektues.

Zëvendësuesi i Drejtorit të Qendrës Korrektuese për femra në Lipjan, Dritan Bajramaj thotë se synojnë të rrisin gamën e profesioneve, por aktualisht nuk kanë hapësira të mjaftueshme për këtë.

“Në kuadër të mbajtjes së dënimit, pra në qendrën korrektuese për femra, ne zhvillojmë disa aktivitete, por ajo që është më e rëndësishme për rehabilitimin e të burgosurave dhe për përgatitjen e tyre për jetën në liri ne fokusin e kemi në punësimin e tyre dhe po ashtu në aftësime profesionale përmes kurseve të ndryshëm dhe trajnimeve që ne organizojmë brenda qendrës sonë.

Fokusi kryesor është në furrë të bukës, janë të punësuara 4 të burgosura, pastaj në kuzhinë janë të punësuara 8 të burgosura, në rrobaqepësi katër dhe gjatë verës kur kemi sezonin verore e kemi një numër të caktuar të femrave që punojnë edhe në serra”, thotë ai.

Ndërsa zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Shërbimin Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani thekson se si projekt afatmesëm e kanë edhe ndërtimin e një qendre korrektuese për gra.

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës na është mundësuar themelimi i njësisë ekonomike, njësi e cila do të na mundësojë të krijojmë më shumë vende të punës sepse kapacitetet tona deri më tani kanë qenë të kufizuara. Terapia më e mirë për një të dënuar sigurisht që është puna, natyrisht deri më tani kemi pasur afër 50% të dënuarve të punësuar dhe ne synojmë që këtë vit të rritet numri dhe brenda një afati shumë të shkurtër t’i angazhojmë të gjithë të dënuarit që mbahen në institucione korrektuese.

Natyrisht nuk është vetëm puna, brenda qendrave korrektuese zhvillohen edhe shumë programe rehabilituese. Ministrja e Drejtësisë kohë më parë ka nxjerrë një vendim e të cilin neve na ka obliguar, por natyrisht këtu ka ftuar edhe shoqërinë civile, për hartimin e një programi për reformë në programet rehabilituese. Tanimë kemi pasuruar programet rehabilituese edhe më mbështetjen e organizatave joqeveritare dhe partnerëve tanë strategjikë, në qendra korrektuese janë duke u organizuar trajnime dhe programe rehabilituese”, thotë Dibrani.

Shërbimit Korrektues të Kosovës i ka ardhur në ndihmë edhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, me pajisje logjistike si dhe në trajnime për stafin dhe sektorë të tjerë për të dënuarit.

Shefja e njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vähäkoski thotë se është e rëndësishme të ketë aktivitete dhe rehabilitime për gratë që janë në qendrat korrektuese.

“Rehabilitimi i të burgosurve është një nga prioritetet e qendrave korrektuese, sepse siç punojmë me vite të tëra këtu, për Shërbimin Korrektues të Kosovës, siguria dhe mbrojtja janë pothuajse siç duhet, kështu që vitet e fundit ne jemi fokusuar shumë në vlerësimin e rrezikut individual të të burgosurve dhe të nevojave, si dhe në planet e dënimit.

Dhe lidhur me planet e dënimit është me të vërtetë e rëndësishme që të gjitha kërkesat individuale të merren parasysh në mënyrën më të mirë, dhe për këtë arsye rehabilitimi dhe riintegrimi është shumë i rëndësishëm, sepse sigurisht aty ku duam t’i kushtojmë vëmendje është çdo recidivizëm, dhe të miturit dhe femrat janë pjesë shumë e rëndësishme e detyrave tona të këshillimit monitorues…

Dhe për këto arsye ne kemi takime të rregullta me drejtuesit e tyre të qendrave korrektuese të të miturve dhe femrave, si dhe ne po përpiqemi t’u japim atyre disa trajnime dhe këshilla për programe specifike rehabilitimi dhe aktivitete të ndryshme”, thotë Vähäkoski.

Ndërsa në Këshillin për Liritë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut thonë se puna, përgjatë vuajtjes së dënimit, është një prej elementeve kruciale për risocializimin e personave të privuar nga liria.

Aty theksojnë nevojën e shtimit të më shumë profileve në Qendrën Korrektuese për femra në Lipjan.

“Fatmirësisht pjesa më e madhe e personave të privuar nga liria angazhohen në punë brenda institucionet korrektues, mirëpo profilet nëpër të cilat angazhohen ata janë të mangëta, veçanërisht për disa institucione të cilat të themi janë me dënime afatgjatë ose janë të natyrës më të mbyllëta, ajo do t’i ndihmonte dhe puna është njëri prej elementeve kryesore që ndihmon personat e privuar nga liria që të ri-socializohen.

Fatmirësisht viteve të fundit ka pasur edhe disa donatorë ose organizata të cilat janë angazhuar dhe kanë ndihmuar Shërbimin Korrektues të Kosovës në ofrimin e trajnimeve, certifikimeve dhe kjo ka ndihmuar edhe vet Shërbimin Korrektues por edhe personat e privuar nga liria që të përfitojnë njohuri në fusha të caktuara”, thotë Valentina Demolli.

Edhe për “Bletën” do të ishin të mirëseardhura trajnime dhe profile të tjera sepse, sipas saj, puna aty të ndihmon të sigurosh një jetë më të mirë në liri.

“Unë pranoj çdo gjë që më ofrohet nga stafi për të punuar, unë nuk e kundërshtoj sepse puna të bën edhe vlerë më të madhe edhe me privilegje më të mëdha, edhe nuk mërzitesh më shumë, edhe ki respekt më shumë kur ti punon, dhe nuk ke probleme, është shumë më e mirë”, thotë ajo. /kp/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img