4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Donjeta Sadikut po i mohohet e drejta elementare

Boksierët e Kosovës përsëri po hasin në probleme për pjesëmarrjen në kampionate të mëdha nga shtetet të cilat nuk e njohin shtetin e Kosovës. Rasti i fundit sërish lidhet me boksieren, Donjeta Sadiku.

Federata e Boksit qysh nga muaji janar ka dorëzuar dokumentacionin e kompletuar për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror, cili do të mbahet me datë 14-26 Mars 2023 në New Dehli të Indisë, shkruan Gazeta Express.

India është shtet që kishte refuzuar pajisjen me vizë për Donjeta Sadikun dy herë në të kaluarën. Edhe hera e tretë duket se është afër, pasi deri sot nuk ka marrë përgjigje.

Donjeta shihej si favorite për t’i siguruar medalje shtetin tonë, duke marrë parasysh potencialin e saj, si dhe faktin që nëntë shtete nuk marrin pjesë në këtë kampionat si shenjë proteste për pjesëmarrjen e Rusisë, shtet që po vazhdon me agresionin mbi Ukrainën.

 

Latif Demolli, sekretari i përgjithshëm në Federatën e Boksit të Kosovës
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, për Gazeta Express tha se të hënën ekipi i Kosovës duhej nisur për në Indi, por që tani shpresat janë zbehur.

“Fatkeqësisht, ndaj boksit kosovar po vazhdojnë padrejtësitë. Qe tre muaj jemi duke u marrë me viza, jemi rraskapitur, jemi lodhur dhe në fund asgjë. Donjeta Sadiku nuk është pajisur ende me vizë të Indisë. Ne i kemi rezervuar biletat për datën 13 mars, ndërsa ende viza s’kemi. Sot, e premte, shpresuam, por nuk morëm përgjigje. Të hënën ne është dashur të nisemi për në Indi pasi të martën është shorti. E hëna është dita e fundit e regjistrimit. Shpresat na janë zbehur, 60 për qind janë gjasat që s’do t’i marrim vizat, e 40 që do t’i marrim”, tha Demolli.

Ai këtë situatë e vlerësoi si të turpshme dhe si një padrejtësi që po i bëhet sportistes së suksesshme kosovare. Demolli akuzoi presidentin e IBA-s, Umar Nazarovich Kremlev, i cili vije nga Rusia, që po lejon qëllimisht të bëhen këso padrejtësi.

“Kjo është e turpshme, është një padrejtësi që po i bëhet për herë të tretë sportistes së suksesshme të Kosovës. Pasi na kishte refuzuar dy herë, Indisë i ishte ndaluar organizimi i garave ndërkombëtare, por prapë se prapë iu dha e drejta e organizimit ë Botërorit të boksit. Imagjinojeni, Rusisë i është lejuar pjesëmarrja e neve na mohohet. Presidenti i IBA-s është rus dhe ai po e lejon këtë padrejtësi, nuk po bën sa duhet edhe pse IBA na kishte premtuar disa muaj më parë se do ta zgjidhë këtë çështje me qeverinë indiane. Sot i kam shkruar IBA-s letër dhe jam ankuar. Do t’ju shkruaj edhe krejt Federatave të botës, për t’i njoftuar për këtë padrejtësi ndaj nesh”, shtoi Demolli.

Sekretari i FBoxK tha se edhe përkundër që MKRS dhe MPJ janë njoftuar me kohë për këtë çështje, as kjo nuk ka sjellë rezultat.

“Në Botërorin e kaluar e fituam medaljen e bronztë në Turqi dhe tash Donjeta kishte mundësi të shpallej kampione e botës pasi 9 shtete janë tërhequr shkaku i pjesëmarrjes së Rusisë. Por, qeveria indiane edhe këtë radhë po tregohet e padrejtë dhe e pamëshirshme ndaj nesh, pasi ky vend nuk e njeh ende Kosovën si shtet. Në dy herat e kaluara, institucionet kosovare u patën ankuar që nuk iu kishim lajmëruar paraprakisht. Tash, e kemi njoftuar me kohë Ministrinë e Sportit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, të cilat na kanë premtuar se do të angazhohen për këtë çështje, por tash po shihet rezultati…”, deklaroi Latif Demolli.

Pavarësisht se Federata e Boksit e Kosovës ndjehet e “dorëzuar”, mbetet të shihet nëse të hënën do të ndodhë “mrekullia”, që do t’ua mundësonte ekipit kosovar pajisjen me viza, rrjedhimisht edhe pjesëmarrjen në Kampionat Botëror.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img