2.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

“Janë përmbushur pritshmëritë e mia” dhe “15 modele për Asociacionin” – deklaratat e Lajçakut dhe gjithçka nga vizita e tij në Kosovë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak të enjten gjatë vizitës në Kosovë takoi presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar ankesin e zbatimit të Propozimit evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Lajçak takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e quajti konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të  frytshëm.

Në një deklaratë para gazetarëve Lajçak theksoi se pritshmëritë e tij në takim me të parin e ekzekutivit janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të Propozimit evropian për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Me kryeministrin Kurti patëm një bisedë konstruktive, shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Po ashtu u takova me presidenten Osmani, me të cilën pata bisedë dhe do të takohem edhe me krerët e opozitës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst”, ka theksuar Lajçak.

Në pyetjen e gazetarëve nëse do të ketë ceremoni nënshkrimi të marrëveshjes në Ohër dhe nëse ajo duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës, Lajçak ka thënë se tash për tash “ne po fokusohemi tek finalizimi e pastaj vijmë tek formalizimi”.

I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti

“Do të arrijmë edhe tek ajo, por hapi i dytë është njëherë finalizimi. Siç thuhet e kalojmë atë urë kur të arrijmë atje dhe shpresojmë që të arrijmë të nënshkruajmë në Ohër. Sa i përket parlamentit ai është pjesë e kësaj sepse kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Të dyja palët i kanë procedurat e brendshme që duhet ndjekur”, ka nënvizuar Lajçak.

Lajçak tha se në rast se të dyja palët pajtohen, më 18 mars pritet të nënshkruhet marrëveshja.

I dërguari i BE-së në një intervistë për “Context” në ATV ka folur edhe për çështjen e Asociacionit.

Ai tha se kryeministrit Kurti i ka dhënë 15 modele evropiane për Asociacionin, të cilat modele nuk kanë çuar në mosfunksionim te shtetet.

Lajçak tha se është koha për të ndryshuar narrativën nga Kurti dhe se në vend se të thuhet se çka nuk duhet të jetë Asociacioni, të shihet si mundësi për të përmirësuar cilësinë në komunikim ndërmjet Qeverisë dhe serbëve të Kosovës.

“Unë e kuptoj se kjo është një çështje e ndjeshme, në Kosovë për zotin Kurti. Por është koha ta ndryshojmë narrativën. Dhe në vend se të thuhet se çka nuk duhet të jetë asociacioni, të shihet si mundësi për të forcuar dhe përmirësuar cilësinë në komunikim ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës, dhe po ashtu të ketë transparencë në marrëdhëniet ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me normat ekzistuese, standardet dhe modelet evropiane.

Nuk ka arsye aspak për t’u frikësuar, sepse siç e thashë unë ia kam dhënë kryeministrit Kurti 15 modele evropiane te të cilat mund të gjejë inspirimin”, tha Lajçak.

Sipas tij, asnjë prej këtyre modeleve nuk ka çuar në mosfunksionim te shtetet që kanë implementuar këto modele, dhe asnjëra prej tyre nuk kanë të bëjnë asgjë me ‘Republikën Sprska’.

Lajçak, tha se në rast se nuk do të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, për palën apo palët penguese do të thotë se po e injorojnë faktin që ndërlidhet ngushtë me rrugëtimin e tyre evropian.

E lidhur me takimin e 18 marsit në Ohër, i dërguari i BE-së tha se data 18 nuk është zgjedhur aksidentalisht

Ai tha se pak ditë pas kësaj date do të ketë një agjendë tejet të rëndësishme brenda Bashkimit Evropian.

Sipas tij, vëmendja dhe mbështetja lidhur me këtë proces është jashtëzakonisht e lartë dhe uniteti brenda BE-së është i paprecedent.

“Varet nga të dyja palët dhe nga ne si ndërmjetësues, se çfarë mesazhi do t’u raportojë z. Borrell liderëve evropianë, ministrave më datën 20 dhe liderëve më 23 dhe 24”, tha Lajçak.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizim me Serbinë, gjatë takimit që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim kryeministri Kurti ka theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian.

Ndryshe, Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë, fillimisht u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe presidentja Vjosa Osmani

Sipas njoftimit për media, Osmani gjatë takimit tha se plani i zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në frymën e “paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”.

Osmani tha po ashtu se Kosova është konstruktive në dialogun me Serbinë dhe mbetet e angazhuar në këtë proces, “ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese”, u tha në njoftimin e Presidencës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img