-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Këta janë gjyqtarët që gjykuan 23 rastet e “Kobrës” e nuk shqiptuan asnjë dënim me burgim efektiv

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka publikuar raportin e Njësisë për Inspektim Gjyqësor për rastin “Kobra”.

Sipas këtij raporti, njësia gjatë punës në terren, në Gjykatën Themelore në Prizren ka gjetur se të pandehuri Dibran Hoxha i janë identifikuar 22 lëndë penale, ndërsa një lëndë e ka pasur në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Pra gjashtë lëndë më shumë se sa ishin identifikuar në fillim.

Në këtë raport, thuhet se Njësia ka kërkuar nga administratori i Gjykatës Themelore në Prizren, informacionet për të cilat i pandehuri Hoxha është gjykuar me gjobë. Në këtë raport thuhet se sipas informatave të pranuara, 14 lëndë janë ekzekutuar, 2 lëndë janë pezulluar për shkak të amnistisë dhe një lëndë pas ushtrimit të kundërshtimit është në proces të gjykimit.

Po ashtu, sipas këtij raporti Njësia është njoftuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra se në proces gjyqësor është edhe një lëndë, dhe kjo lëndë i është ndarë gjyqtarit Lulzim Hoxha.

Në këtë raport inspektues janë përfshirë të dhëna të detajuara lidhur me aktgjykimet e shqiptuara nga gjyqtarët të cilët i kanë pasur në punë këto raste, duke përfshirë të dhëna si numrin e lëndës, datën e kryerjes së veprës penale, aktin akuzues, llojin e veprës penale, aktgjykimin, gjyqtarin e çështjes, disozitivin e aktgjykimit, llojin e dënimit dhe të gjetura të veçanta si dhe nëse ka pasur ankesë apo ndaj vendimit.

Po ashtu, në këtë raport janë paraqitur të gjeturat për secilën lëndë penale, ku ndër të tjera thuhet se i pandehuri Hoxha është përfshirë në 27 vepra penale të cilat janë paraqitur edhe sipas viteve nga Njësia.

Sipas këtij raporti, i pandehuri Hoxha është akuzuar për 27 vepra penale, ndërsa është gjykuar për 20 prej tyre.

Ndërsa, për 2 vepra penale është refuzuar akuza për shkak të heqjes dorë të Prokurorit nga ndjekja penale kurse për 5 vepra penale është hedhur akuza dhe ka pushuar procedura penale për shkak të arritjes së afatit absolut të ndjekjes penale.

Tutje, sipas këtij raporti Njësia ka analizuar edhe gjendjen ekonomike të të pandehurit të paraqitur në aktin akuzues të prokurorisë dhe në dispozitivin e aktgjykimeve. Në 2 akte akuzuese, gjendja ekonomike e të pandehurit është vlerësuar si e “e mirë”, ndërsa në 10 si “e mesme” dhe në 8 akte akuzuese si “e dobët”.

Në anën tjetër në asnjë aktgjykim sipas këtij raporti nuk është vlerësuar si “e mirë” gjendja ekonomike e të pandehurit, në 8 aktgjykime gjendja ekonomike e të pandehurit është vlerësuar si “e mesme” dhe në 10 aktgjykime gjendja ekonomike e të pandehurit është vlerësuar si “e dobët”.

Njësia ka nxjerrë edhe të dhëna lidhur me gjyqtarët që i kanë gjykuar lëndët e të pandehurit Hoxha, ku nga këto të dhëna shihet qartë se ka pasur gjyqtarë të cilët e kanë gjykuar nga 3 raste të të pandehurit Hoxha. (shih tabelën)

Tutje, në këtë raport thuhet se gjatë inspektimit është gjetur se aktgjykimet të cilat janë marr bazuar në KPPP nuk janë përfshirë të gjitha të dhënat siç është përcaktuar në nenin 396 par 3, veçanërisht ka munguar numri personal i identifikimit dhe se a është ndonjë procedurë penale kundër tij për ndonjë vepër tjetër në zbatim e sipër.

Sipas këtij raporti, gjatë matjes së dënimit në asnjë aktgjykim nuk është shënuar si rrethanë rënduese se i pandehuri ka qenë më parë i dënuar apo është duke u zhvilluar ndonjë procedurë penale ndaj tij.

Tutje, Njësia ka gjetur se në shkresa të lëndës nuk janë gjetur fletëdorëzimet me të cilat konstatohet se, aktgjykimet ( të cilat kanë të shqiptuar dënime me kusht) i janë dorëzuar Shërbimit Sprovues. Sipas njoftimit të pranuar nga administratorja e Gjykatës Themelore në Prizren e cila edhe një herë ka verifikuar se, a janë në shkresa të lëndës fletëdorëzimet për dorëzimin e aktgjykimeve Shërbimit Sprovues figuron se, në asnjërën nga lëndët përkatëse nuk janë këto fletëdorëzime.

Në fund të këtij raporti, Njësia për Inspektim Gjyqësor ka paraqitur një konkluzion të përgjithshëm, sipas të cilës Gjykatat lëndët e të cilave janë inspektuar duhet të aplikojnë dispozitat ligjore me të cilat përcaktohet përmbajtja e dispozitivit të aktgjykimit, leximit dhe paraqitjes së të dhënave penale të të pandehurit gjatë procedurës penale si dhe ekzekutimit të dënimit me kusht.

Ndryshe, në hulumtimin “Kobra– Recidivisti i “amnistuar”, “Betimi për Drejtësi” kishte paraqitur në detaje se si i pandehuri Hoxha ishte amnistuar nga prokurorët dhe gjyqtarët që kanë trajtuar rastet e tij.

Përderisa, KGJK lidhur me shqetësimet e ngritura kishte autorizuar Njësinë për Inspektim Gjyqësor që të hartojë një raport me çështjet e këtij rasti, ndryshe ka vepruar Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ku kjo e fundit përgjegjësinë e ka deleguar tek Kryeprokurori Admir Shala, i cili për emisionin “Betimi për Drejtësi” kishte deklaruar se prokurorët këto raste i kanë trajtuar me profesionalizëm.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në janar të vitit 2023 ka publikuar analizën me titull: “Dështimi i shtetit ndaj “kobrës” , në të cilin raport ishin analizuar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Prizren për rastet e të të pandehurit Hoxha. Sipas kësaj analize të IKD-së, rasti “Kobra” është rast i pakontestueshëm në të cilin sistemi i drejtësisë ka dështuar të parandalojë kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, e njëherit ka dështuar të mbrojë shoqërinë nga një kryes i veprave penale, përmes politikave ndëshkimore joadekuate, respektivisht përmes dënimeve me gjobë e me kusht të një pas njëshme, me ç’rast si rezultat i mosveprimeve adekuate në rehabilitimin e një kryesi recidivist të veprave penale nga ana e sistemit të drejtësisë, një person është privuar nga jeta.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK-së), për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img