1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

E drejta e grave për trashëgiminë mbetet ende tabu në Kosovë

E drejta e pjesëmarrjes së gruas në trashëgiminë familjare, vazhdon të mbetet ende tabu brenda vetë familjeve.

Sipas të dhënave, vetëm 4 për qind e grave në Kosovë iu respektohet kjo e drejtë. Ndërsa, rreth 15 për qind e pronave janë të regjistruara në emër të tyre. Organizata të ndryshme që merren me mbrojtjen e grave, thonë se një nga sfidat për gratë është edhe e drejta e tyre për të trashëguar pronën, derisa kanë propozuar edhe largimin e nenit që lejon heqjen dorë nga trashëgimia.

Ligjet e Kosovës, garantojnë të drejtat e barabarta për gratë dhe burrat, por ndikimi i kulturës, traditës, kushtet ekonomike dhe niveli i arsimimit, kanë ndikuar kundër arritjes së barazisë së paraparë me ligj. Zbatimi i ligjit mbi trashëgiminë ende çalon dhe përmirësimet janë të pakta. Edona Selimi, nga Organizata Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, tha për Radio Kosovën se fatkeqësisht pak gra janë të vetëdijshme për të drejtat e tyre, e sidomos për pjesëmarrjen e saj në trashëgimi.

“Mendoj se ende ekziston një mentalitet i tillë i heqjes dorë nga trashëgimia për hir të familjes. Përafërsisht, sipas të dhënave nga vitet e kaluara diku 4 deri në 5 për qind e grave në Kosovë marrin pjesë në trashëgiminë familjare. Pra, pozita e gruas në shoqëri për sa i përket trashëgimisë nuk qëndron mirë, edhe pse ajo u takon me Ligjin për Trashëgiminë. Mirëpo, ky ligj nuk po gjen zbatim në shoqërinë tonë. Sipas një hulumtimi, rreth 18 për qind e grave heqin dorë nga trashëgimia, për arsye të familjes dhe për të mos krijuar konflikte”, tha ajo.

Sipas të dhënave, rreth 15 për qind e pronave janë të regjistruara në emër të grave. Selimi, theksoi se sipas Ligjit për Trashëgiminë, çdo pronë që blihet gjatë martesës, ajo regjistrohet në emër të të dy bashkëshortëve.

“Pasojat e mos-trashëgimisë së grave në familje është rezultat i pabarazisë në trashëgiminë pronësore. Nëse nuk e trashëgojnë gratë pronën njësoj si burrat trashëgiminë pronësore, atëherë i bie që vetëm 50 për qind e popullsisë, që janë burrat, të kenë fuqizim ekonomik të tyre, ndërsa shumë gra të cilat nuk e trashëgojnë pronën, nuk janë të pavarura ekonomikisht dhe të pavarura nga meshkujt. Për këtë arsye, duhet të fillojë vetëdijesimi i shoqërisë e i familjes, në mënyrë që të ketë zhvillim të shoqërisë 100 për qind, e jo vetëm 50 për qind”, tha ajo.

Ndërkohë, Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha për Radio Kosovën se organizatat anëtare të Rrjetit, kanë propozuar amendamentimin e Ligjit për Trashëgiminë, duke e hequr plotësisht nenin që lejon heqjen dorë nga trashëgimia.

“E vërteta është se Ligji për Trashëgiminë që është në fuqi, e parasheh që trashëguesi mund të heqë dorë nga pasuria, nuk e përcakton që një nen i tillë duhet të përdoret vetëm nga gratë. Por, duke ditur mentalitetin patriarkal në Kosovë, është neni që keqpërdoret më së shumti nga noterët, gjyqtarët, prokurorët dhe nga vetë familjet, ku rrjedhimisht gratë heqin dorë nga pasuria e tyre. Prandaj, nëpër vite të tëra me organizatat anëtare kemi avokuar që një nen i tillë duhet të ndryshojë, por ende nuk ka lëvizje në këtë drejtim. Por, në momentin që Ligji diskutohet për t’u amendamentuar, ne i kemi rekomandimet e gjetjet tona, që një nen i tillë duhet të largohet, në mënyrë që të mos jepet mundësia për t’u keqpërdorur në të keqen e grave”, tha ajo.

Në Ligjin për Trashëgimi i Kosovës, neni 3 pika 1 thotë se “Të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi”. Sipas Ligjit për Trashëgimi, trashëgimtarët ligjorë janë: fëmijët e trashëgimlënësit, të adoptuarit e tij dhe pasardhësit e tyre, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat.

Nga ana ligjore, neni 7.2 i Kushtetutës së Kosovës, ndalon në mënyrë të qartë diskriminimin e grave. Për me tepër, neni 22 përcakton se Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas është përfshirë shprehimisht në ligjet e Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img