Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se miratimi i marrëveshjes së parë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe ka ardhur fillimisht mes një letërkëmbimi mes ish-kryeministrit, Hashim Thaçi dhe ish-kryediplomates së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
“Ne deri më 2013 gjithçka në koordinim me partnerët ndërkombëtarë kemi reagua njëanshëm. Njëanshëm e kemi nënshkruar Rambujenë, njëanshëm e kemi shpallë pavarësinë, thuhet pavarësi e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe njëanshëm është ratifikuar letërkëmbim mes Mogherinit dhe Qeverisë së Kosovës. Ajo ka qenë letërkëmbim mes zonjës Mogherini dhe ish-kryeministri Thaçi për arritjen e një marrëveshje e cila më pas është përkthyer në ligj sepse është ratifikuar dhe është nënshkruar prej presidentes Jahjaga”, ka deklaruar Haziri.
Tutje ai ka shtuar se ish-kryeministri, Isa Mustafa e kishte të garantuar me dokument që Asociacioni nuk do të ketë elemente ekzekutive, çka sipas Hazirit, Kurti nuk e ka një garancion të tillë.
“Në 2015 ish-kryeministri Mustafa e ka punuar aneks-dokumentin, marrëveshja për implementim e 2013 dhe ajo i ka elementet e Kushtetueses dhe dokumentin me garancion prapa që Asociacioni nuk mund të ketë të drejta ekzekutive, nga zonja Mogherini. Ai dokument është pjesë e negociatave. Z. Mustafa e ka dëshmuar dhe e ka publikuar. Kjo marrëveshje tani nuk i ka këto siguri”, ka thënë ai në ResPublika në Tëvë1.
Haziri ka thënë se opozita ka mirëkuptim me partnerët ndërkombëtarë.
“Ne e kemi tërhjek vëmendjen dhe kemi biseduar fillimisht me strukturat, kryetari i LDK-së ka aktivizuar mekanizëm të brendshëm të debatit dhe i ka vlerësuar në detaje të gjitha dokumentet e procesit dhe pritjet e tona, natyrisht me të gjithë partnerët përfshirë QNINT-in, vizita në Amerikë dhe Bruksel, vizita në regjion që i kemi pas në Shqipëri e Maqedoni të Veriut dhe ne kemi ardhë në përfundim që kjo pjesë e procesit neve na dallon se ne mbështesim dialogun, kryeministri është i vetmi organ që udhëheq e Qeveria miraton dokumente dhe politika, që Kuvendi është i vetmi organ që miraton marrëveshje. Dallimi ynë është me përmbajtjen e marrëveshjes. Kemi tërheq vërejtjen, kemi thanë të lutem ke kujdes, por ne jemi të gatshëm të ndihmojmë. Mirëkuptimi i partnerëve me opozitën ekziston. Ne këtë nuk e kemi shqetësim”, deklaroi Haziri.