Më 13 korrik të vitit të kaluar, kryeministri Mustafa, në një deklaratë për televizionin publik pati thënë se demarkacioni me Malin e Zi është interes shtetëror dhe në interes të shtetit, prandaj sipas tij duhet ikur nga kauzat partiak dhe vetjake.
“Ne nuk e japim asnjë metër katror të Kosovës për asnjë çmim, as për viza as për asgjë. Jam i bindur se komisioni e ka bërë punën e vet mirë dhe nuk ka dyshime. Po të kishte bërë punën keq atëherë secili duhet ta dijë se kjo ka pasoja penale, pra është krim dhe dikush duhet të përgjigjet për atë vepër”, pati thënë Mustafa.
Kryeministri për herë të parë e pati përmendur në këtë deklaratë demarkacionin si kusht për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.
Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja nuk dëshirojnë të themelojnë ushtri në një vend që ka probleme kufitare me një shtet fqinjë.
Ngjashëm, rreth 1 muaj e gjysmë më vonë, më 31 gusht, një ditë para se në seancën e Kuvendit të zhvillohej votimi për demarkacionin me Malin e Zi, i cili pati dështuar, presidenti Thaçi, në një intervistë për rrokum tv, pati thënë se pret që kjo çështje të kalojë pasi që, sipas tij, është e lidhur jo vetëm me liberalizim vizash, por edhe me FAK-un.
“Me kalimin e Demarkacionit, do të ndodhë perspektiva për liberalizim të vizave dhe gjithashtu do të kalojë themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë më tej presidenti Thaçi.