Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se rënia heroike e Adem Jasharit kishte bërë që ai të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se ai është gjallë edhe sot, veçanërisht tek ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ato ditë ishte ende koha e luftës, e asaj lufte për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur gjithë jetën dhe asaj lufte që ai ia kushtoi tërë jetën. U tha “Ai është gjallë”, edhe pse ai kishte vdekur për liri, sepse ishte pikërisht rënia e tij heroike, që kishte bërë që Adem Jashari të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot, dhe veçanërisht tek ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Kurti gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e organizuar në FSK, për nder të 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Kurti tha se sot është përmbushur vizioni i atëhershëm i Ademit, për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Sot ne e përmbushim vizionin edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës, teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të transformimit, në Forcat e Armatosura të Kosovës, duke shtuar personelin dhe rritur kapacitetet, duke u pajisur me pajisje moderne, dhe duke u trajnuar e stërvitur në akademitë më të mira ushtarake të vendeve tona aleate”, deklaroi i pari i Qeverisë.