Përmes organizatës ku ai punon, brenda pak vjetësh nga pesë sa ka qenë numri i studentëve nga këto komunitete, kanë arritur që sot të kenë në listat e tyre njëmijë studentë.
Kryeziu thotë se qëllimi i organizatës ku punon ka qenë ngritja e nivelit të arsimimit në këto komunitete përmes mentorimit të studentëve, ndarjes së bursave dhe programeve të ndryshme.
“Pas luftës në Kosovës, gjendja e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë, jo vetëm në edukim, por edhe në secilën sferë të jetës ka qenë jo e barabartë me pjesëtarë të komuniteteve tjera që kanë jetuar në Kosovë, e sidomos tek edukimi ka qenë më e nevojshme që të investohet”, thotë Kryeziu.
“Maksimumi pesë studentë kanë qenë nga këto komunitete mes viteve 2003-2007, dhe kjo ka qenë me të vërtetë shqetësuese”, shton ai.
Edhe vetë procesi për t’i motivuar të rinjtë e këtyre komuniteteve, sipas Kryeziut, ka qenë një ndër problematikat. Por, ai thekson se me angazhimin e aktivistëve për të drejtat e komuniteteve, drejtoritë komunale të arsimit dhe institucionet qendrore kanë arritur që të rrisin numrin e të interesuarve për të vazhduar shkollimin.
Problem tjetër në misionin për edukimin e pjesëtarëve të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë është edhe pabarazia në bazë gjinore.
“Pabarazia te gratë e këtyre komuniteteve është më e theksuar. Mendoj që në këtë aspekt jemi të sub-diskriminuar ngaqë fillimisht diskriminohen se janë gra dhe pastaj se janë gra të një etnie të caktuar”, thekson Kryeziu, duke shtuar se kjo situatë vjen si pasojë e shoqërisë diskriminuese në Kosovë.
Ai shton se me aq mundësi që kanë si organizatë, punojnë që këto dallime sado pak të zbehen dhe të thyhen barrierat që e dëmtojnë secilin, veçanërisht gratë dhe vajzat.
“Ne kemi konsideruar që përmes edukimit, të krijojmë civilizim, një qasje ndryshe të të menduarit dhe mentalitet ndryshe, barazi dhe demokratizim”, thotë Kryeziu.
Elvis Avdiu është një 25-vjeçar nga Lipjani. Elvisi i përket komunitetit rom, ndërsa është i pari i këtij komuniteti nga vendi ku vjen që ka vazhduar shkollimin pas përfundimit të shkollës së mesme. Në vitin 2018 Elvisi ka nisur studimet në Universitetin Amerikan të Kosovës.
I diplomuar në programim dhe menaxhment, falë mësimdhënësve në vendlindjen e tij, thotë se fatmirësisht nuk e ka ndier diskriminimin, përveç në disa raste të rralla.
“Fatmirësisht, unë e kam pasur një mësues shumë të mirë, i cili gjithmonë ka tentuar t’i përfshijë dhe t’i bashkojë të gjithë nxënësit. Si rezultat, unë kam qenë i përfshirë nga klasa e parë me gjithë nxënësit pa dallim”, thotë Elvis Avdiu për Radion Evropa e Lirë.
Ndërsa suksesi në universitet, si përfitues i bursave dhe përkushtimi për të ndihmuar komunitetin, ka bërë që edhe familjarë e të afërm të tjerë të ndjekin rrugën e Elvisit dhe vëllait të tij. Këtë vit, kushërira e Elvisit ka nisur studimet universitare në po të njëjtin universitet.
“Unë e di gjendjen e komunitetit tim, gjithmonë e kam parë që komuniteti rom kanë qenë pak më poshtë dhe mendimi im ka qenë që përmes shkollimit ka mundësi të ngrihemi si komunitet. Për shkak të këtij mendimi më është rritur dëshira për shkollim”, tregon Elvisi.
Ai shton se pjesëtarët e komunitetit të tij mund ta shohin ndryshimin, i cili mund të bëhet përmes shkollimit dhe fton të rinjtë të ndjekin rrugën e njëjtë.
“Duhet të vazhdohen studimet për të mirën e jetës së tyre”, thotë Elvis Avdiu.
Fatlum Kryeziu thotë se për vite me radhë është ndërtuar imazhi i këtyre komuniteteve nga të tjerët.
“Të tjerët na definojnë neve, të tjerët na tregojnë çfarë bën dhe çfarë s’bën”, shton ai.
“Personalisht, më është kujtuar shpesh në forma të ndryshme se kush jam dhe pse jam i tillë. Kjo është përkthyer në demotivim, por pavarësisht kësaj kam arritur të shkollohem. Kam arritur të shpëtoj nga këto paragjykime dhe pabarazi që kanë ndodhur në jetën time”, thotë ai.
Si pasojë e diskriminimit, Fatlum Kryeziu thotë se nuk mund të dihet saktë numri i nxënësve të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë, pasi, sipas tij, ka edhe shumë raste që nuk vetëdeklarohen lidhur me komunitetin të cilit i përkasin.