Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku thotë se neni shtatë i propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është më shumë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Sipas saj, i njëjti i jep autonomi serbëve të Kosovës, ndërkaq edhe hap pakon e Ahtisarit, përmes statusit të Kishës Ortodokse Serbe.
Në një intervistë për KosovaPress, Çitaku ka thënë se kryeministri Kurti ka bërë kalkulime të gabuara në dialog, duke vazhduar status-quo me Serbinë, derisa shton se s’ka asgjë konkrete për përfitimet e mundshme të Kosovës nga marrëveshja e dakoduar me Serbinë.
“Neni shtatë e hap pakon gjithëpërfshirëse të presidentit Ahtisari, pako mbi të cilin është ndërtuar rendi kushtetues dhe ligjor në Kosovë. Kjo është e para, flet për një autonomi për serbët e Kosovës dhe e dyta, elementi i ri ishte çështja e Kishës Ortodokse Serbe. Ne besojmë që kjo çështje është rregulluar shumë mirë me pakon e presidentit Ahtisari dhe infrastrukturën ligjore ekzistuese në Kosovë. Tendencat janë që të krijohet një etnitet të ngjashëm me atë që e kemi parë në Mal të Zi, kjo është e qartë se kryeministri është dakorudar për këtë çështje. Pika e 11 flet për aneksin e implementimit dhe është e qartë se palët janë pajtuar edhe për këtë çështje…Autonomia e tejkalon Asociacionin, nuk ka fije dyshimi. Për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin ekziston një nen i veçantë në kuadër të dokumentit”, ka thënë ajo.
Madje, Çitaku ka shtuar se s’ka asnjë element në këtë marrëveshje që do të nënkuptonte njohjen de-facto, e aq më pak atë de-jure.
“Në këtë formë de-facto Serbia e ka njohur Kosovën që nga vitit 1999, Serbia nuk qeverisë me Kosovës. Serbia ka pranuar dokumentet tona të udhëtimit, po harroni se ne kemi një marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufirit. S’ka kufi me një shtet të cilin e konsideron kushtimisht pjesë tënden. Nuk ka element të ri në këtë marrëveshje që do të nënkuptonte njohje de-jure apo de-facto. E vetmja gjë e re është se dy palët janë zotuar se dialogu të vazhdojë, e sa do të vazhdojë dhe sa vite do t’i humbas Kosova në këtë proces mbetet të shihet”, është shprehur Çitaku.
Sipas saj, Kurti e ka degraduar dialogun me Serbinë përmes sjelljeve të tij të gabuara në këtë proces.
“Tash do të kemi një status-qou të re, kryeministri ka bërë një kalkulim të gabuar, ka menduar se duke rihapur marrëveshjet e vjetra do të ndryshojë formatin e dialogut dhe rezultatin. Por fatkeqësisht ai vetëm e ka degraduar atë dhe ne sot kemi një marrëveshje që do të prodhojë një status qou të re, mirëpo nuk e përmbyllë procesin e dialogut me Serbinë”, shton ajo.
Ndërkaq, ajo ka vë në mëdyshje edhe përfitimet e mundshme të Kosovës në arenën ndërkombëtare pas kësaj ujdie.
“Nuk kishte asgjë konkrete në atë draft-marrëveshje të dakorduar për përfitimet e mundshme të Kosovës në këtë proces. Stigma, fjalia që Serbia nuk do të pengojë Kosovën në integrimet evropiane ka ekzistuar edhe në marrëveshjet e mëhershme. Por çka e pengon Kosovën në integrimet evropiane nuk është Serbia, por pesë vendet e BE-së jo njohëse. Çka e pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB nuk është Serbia, por Rusia dhe Kina që kanë veto”, ka deklaruar Çitaku.
Kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq janë takuar më 27 shkurt në Bruksel, ku, sipas ndërmjetësit të dialogut, Josep Borrell, palët janë pajtuar për propozimin e BE-së për dialogun, i cili përmban 11 nene. Megjithatë, të njëjtit nuk e kanë nënshkruar dokumentin. Kryeministri Kurti, pas takimit ka thënë se Vuçiq nuk ishte i gatshëm për ta nënshkruar atë.
Takimi i radhës ku diskutohet sërish për marrëveshjen dhe aneksin e zbatimit të saj pritet të mbahet më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Neni shtatë që po kritikohet nga nënkryetarja Çitaku, thotë se Kosova do të sigurojë një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, bazuar në instrumentet relevante të Këshillit të Evropës./ksp