1.5 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Propozimi evropian, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Republika e Kosovës ka treguar se është serioze dhe e përkushtuar

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka mirëpritur zhvillimet e fundit në dialogut Kosovë-Serbi, saktësisht pajtimin për Propozimin evropian.

Në reagimin e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë thuhet se Kosova ka treguar se është serioze dhe e përkushtuar në këtë proces.

“Siç e kemi theksuar në vazhdimësi dhe me bindje të plotë, burimi i problemeve dhe tensioneve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është refuzimi i Beogradit për të njohur të drejtën e Kosovës për të ekzistuar dhe përpjekjet e vazhdueshme dhe me të gjitha mjetet për të minuar shtetin e Kosovës.

Beogradi zyrtar ende nuk ka hequr dorë nga politikat hegjemoniste të së shkuarës, duke mbetur kështu gjenerator i tensioneve në rajon”, thuhet në reagim.

KASH shpreh mbështetje për angazhimin e shtuar evropian dhe amerikan për lëvizjen drejt përmbylljes së procesit të dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Këshilli i Ambasadorëve thekson më tej se ky proces i mundimshëm por i domosdoshëm do të arrijë destinacionin e tij të natyrshëm vetëm kur Serbia pranon Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur dhe orientohet sinqerisht në proceset euro-atlantike.

“KASH konsideron se i ashtuquajturi Plani Franko-Gjerman është një kornizë e përgjithshme që trason rrugën për rregullimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Pavarësisht se ky plan nuk përmban në mënyrë shprehimore detyrimin e Republikës së Serbisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ky plan kornizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi bazën e parimeve të barazisë sovrane dhe parimeve të tjera të Kartës së OKB-së, mbi të cilat zhvillohen marrëdhëniet paqësore dhe bashkëpunimi në mes të shteteve të pavarura”, thuhet në reagim.

“Duke shprehur gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të pranuar këtë propozim evropian të mbështetur edhe nga SHBA, kryeministri i Republikës së Kosovës ka dëshmuar se Republika e Kosovës është serioze dhe e përkushtuar për të zgjidhur problemet me Republikën e Serbisë, si dy shtete sovrane dhe të barabarta dhe për të ecur drejt integrimeve Euro-Atlantike.

KASH thekson se Republika e Kosovës ka dëshmuar vullnet për të garantuar të drejta dhe pozicion shumë të avancuar për pakicën serbe të Kosovë dhe trashëgiminë kulturore dhe fetare serbe.

Çdo angazhim i mëtutjeshëm i Republikës së Kosovës për të drejta dhe privilegje shtesë për qytetarët serb të Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në procesin e dialogut, duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim.

KASH shpreh bindjen se për të pasur një përmbyllje të suksesshme të procesit të dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, BE dhe SHBA duhet të rrisin angazhimin dhe zotimet e tyre për të çuar përpara procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

Anëtarësimi i Kosovës në organizatat kryesore ndërkombëtare dhe evropiane, sikundër edhe njohja nga pesë vendet e BE që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, është qenësor për të rritur besimin e qytetarëve në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE dhe të mbështetur nga SHBA, theksojnë nga KASH.

Këshilli i bën thirrje Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros që të njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës, ligjshmëria e të cilës është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Në fund, KASH i bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera qendrore të shtetit shqiptar që në këtë periudhë vendimtare, të ndjekin një politikë aktive dhe të guximshme në mbështetje të Republikës së Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img