-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Kosova Bëhet me Strategji Kombëtare të Pronës (Video)

E drejta në pronë është e drejtë themelore e njeriut dhe për t’u realizuar ajo duhet të fuqizohet infrastruktura ligjore.

Kështu u tha sot në konferencën e organizuar nga USAID dhe Ministria e Drejtësisë për promovimin e Strategjisë Kombëtare për të Drejtën në Pronë.

Me këtë rast, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, tha se kjo strategji që u promovua sot do të fuqizojë Kosovën si tërësi.

“Përparimi i të drejtës pronësore është thelbësor për një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës, për zhvillim ekonomik, për përfshirjen dhe fuqizimin e grave dhe përparimin e të drejtave të njeriut”, tha Delawie.

Po ashtu ambasadori Delawie tha se është e vështirë që pakoja e ligjeve për çështje tokësore e pronësore të zbatohet në mënyrë të qartë dhe të drejtë.

“Për fat të keq pakoja e ligjeve që rregullojnë çështje tokësore dhe pronësore është vështirë që të zbatohet në mënyrë të qartë dhe të drejtë, prandaj zbatimi i kësaj strategjie lyp që korniza ligjore të mund të përcillet në një mënyrë të qartë të njëtrajtshme dhe të plotë”, tha Delawie.

Ndërsa, zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Drejtësisë. Hajredin Kuçi, duke u shprehur i pakënaqur me numrin e vogël të grave që trashëgojnë dhe kanë prona të regjistruara propozoi një zgjidhje.

“Duhet të shkojmë në fazën kur të ndahet (prona) në mënyrë proporcionale dhe pastaj gratë nëse dëshirojnë ta bartin pronën ose ta dhurojnë ta bëjnë këtë, por jo të lejohet që të heqin dorë”, tha Kuçi.

Kurse, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, u zotua se do të përmbushë obligimet e institucionit që ajo drejton që rrjedhin nga Strategjia e promovuar.

“Shpreh gatishmërinë time të parezervë por edhe të Ministrisë së Drejtësisë që të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme dhe në kohë sa më të shkurtër të iniciojmë edhe nismat legjislative me qëllim të adresimit të rekomandimeve të dala nga Strategjia”, tha Hoxha.

Procesi i hartimit të Strategjisë Kombëtare për të Drejtat në Pronë ishte filluar nga Ministria e Drejtësisë e mbështetur nga USAID në qershor të vitit 2015.

SKDP është dokument që përcakton prioritetet dhe fazat e intervenimeve me qëllim të përkufizimit të qartë të të drejtave pronësore në legjislacion dhe sugjeron mekanizma efikasë të qasshëm dhe të përballueshëm përmes të cilave qytetarët e Kosovës mund të fitojnë njohjen juridike të drejtave të tyre.

Kjo Strategji si sfida që kanë dëmtuar dhe dobësuar sigurinë juridike të drejtave pronësore në Kosovë i identifikon mungesën e qartësisë së legjislacionit që rregullon të drejtat mbi pronat e paluajtshme, shkallën e gjerë të informalitetit në sektorin e pronave dhe zbatimin jokonsistent të të drejtave pronësore.

KALLXO.com në vazhdimësi ka pasur në fokus dhe raportuar lidhur me të drejtat pronësore e në veçanti për të drejtat e grave në Kosovë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img