0.7 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

Buy now

spot_img

Çfarë po thonë në Serbi për marrëveshjen Kurti-Vuçiq?

“Nuk kam nënshkruar asgjë”, ishte fjalia që u kujdes ta përsëriste pothuajse gjatë tërë intervistës dhënë për televizionin publik serb. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendoi se nuk ka lëkundur nga të ashtuquajturat “tri vija të kuqe” në raport me një marrëveshje me Kosovën.

Mosnjohja e Kosovës, moslejimi ose shtrimi i rrugës së Kosovës për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe sekuencimi i Asociacionit si pararendës të marrëveshjes, kanë qenë kushtet që Vuçiq i ka artikuluar para dhe pas të hënës.

Edhe Kryetari i të ashquajturit Komision Parlamentar për Kosovën, Millovan Drequn, tha se Serbia e ka pranuar plan-propozimin evropian “vetëm si koncept” por jo edhe si marrëveshje.

Beteja kyç që do të pasojë, sipas tij, do të jetë ajo në Aneksin e Zbatimit të Planit. “Nuk do të zbatojmë anëtarësimin e Kosovës në OKB e as njohjen juridike e faktike të Kosovës”.

“Kjo do të jetë e shkruar në planin e zbatimit”, tha ai duke folur në një intervistë për rrejtin televiziv ballkanas N1.

“Ky është propozim, marrëveshja është diçka krejt tjetër. Pranojmë ofertën për të biseduar, por nuk e duam këtë ofertë për marrëveshje përfundimtare. Vetëm ajo që nënashkruhet është [ligjërisht] e detyrueshme. Fakti që qenka e shkruar nuk nënkupton se do të pranojmë krejt çka ka aty”.

“Njohja ‘de facto’ esencialisht do të thotë diçka tjetër. Atë Albin Kurti e thotë për nevoja të brendshme politike të Kosovës dhe të vetat. Absolutisht nuk do të ketë njohje as ‘de jure’ e as ‘de facto. Por, nëse duam të arrijmë çfarëdo lloj marrëveshje, atëherë na duhet të bëjmë kompromise”, ka thënë Millovan Drequn.

Plan-propozimi ishte i formës “merre ose lëre”, arsyetohet Drequn në televizion. Sipas tij, do të pasonin ndëshkesa të mëdha për Serbinë nëse ajo do të refuzohej me automatizëm.

Përveç kësaj, ai thotë se Vuçiq bërui “lëvizje të jashtëzakonshme politike” kur e pranoi planin “me kufizime të qarta”. Tashmë edhe ndërkombëtarët e kanë shpjeguar se s’bëhet fjalë për njohje, rikujton ai.

Në pikën 2 të propozimit thuhet se “të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për barazinë sovrane të të gjitha shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën. për vetëvendosje, mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminim”, ndërsa në pikën 4 thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Çfarë mund të përfshihet në marrëveshje do të pajtohet përmes për planit të zbatimit. Një propozim është i pandryshueshëm, por është propozim. Ne thjeshtë do të themi – këtë nuk e zbatojmë”, pretendon ai.

Çfarë thonë opozitarët serbë për tekst-propozimin?

Ish-Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, në prag të takimit Kurti-Vuçiq, në një shkrim autorial të botuar në mediat serbe vlerësonte se nëse Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “nënshkruan” marrëveshje të hënën kjo do të thotë përfundimisht pranim dhe njohje të shtetit të Kosovës.

“Çështja është tejet e thjeshtë pavarësisht spineve dhe propagandës”, shkruan Jeremiq, teksa thotë se “nënshkrimi do të thotë njohje të Kosovës”.

“Duke qenë se Serbia është shtet, nëse paranon barazinë me Kosovën kjo do të thotë pranim i paekuivok se edhe Kosova është shtet. Qëndrimi i Serbisë kundrejt anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare mund të jetë apo edhe të mos jetë i shprehur haptazi, por pak rëndësi ka ajo”, ka shkruar ai.

Jeremiq shprehet se në qarqet diplomatike “ka pritshmëri të madhe” që të hënën në Bruksel, Vuçiq dhe Kurti do të pranojnë planin fillestar në “themelimin ndërkombëtar të barazisë mes Beogradit dhe Prishtinës”.

“Pranimi i kësaj marrëveshje do të ishte katastrofë kombëtare për Serbisë dhe tradhti djallëzore, qartësisht më e madhja që Serbia e ka përjetuar në këtë shekull, dhe mbase edhe përgjithësisht”, ka shkruar më tej Vuk Jeremiq.

Sipas tij, me t’u nënshkruar kjo marrëveshje Kosova do të njihej nga pesë shtete mosnjohëse të BE-së, do të pranohej në NATO dhe Këshill të Evropës. “OKB dhe UNESCO do të vinin pastaj”, shkruan ai.

“Do të humbnim dinjitetin dhe shpresën për ta përballuar në mënyrë paqësore pleqërinë”, pati përfunduar Vuk Jeremiq.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img