-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Rasti Haradinaj mund të shtyhet përtej 2 marsit

Procedurat gjyqësore për rastin Ramush Haradinaj në Francë, mund të mos përfundojnë më datën 2 mars dhe procesi të vazhdojë tutje, thonë njohësit e të Drejtës Penale Ndërkombëtare në Kosovë.

Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se kjo çështje mund të shtyhet deri sa gjykata dhe më pas Ministria e Drejtësisë në Francë në bazë të administrimit të provave të marr vendim se si do të veprohet tutje.

“Është rreziku që procesi mund të zvarritet edhe më tej, për shkak se Franca, organet kompetente në këtë rast, nisur nga gjykatat, duhet të shqyrtojnë qëndrueshmërinë, vlefshmërinë, vërtetësinë e atyre provave që Serbia i ka deponuar. E për vlerësimin e kësaj, mendoj se duhet kohë”.

“Serbia, sigurisht që ka deponuar shumë prova. Kështu që kjo mundet të përmbyllet më 2 mars, por para dy marsit kurrsesi. Pra, mund edhe të shtyhet”, tha Salihu.

Profesori Salihu tha se rastet e tilla kërkojnë kohë, derisa mekanizmat përkatës të drejtësisë të binden që provat e dorëzuara janë, përkatësisht nuk janë të besueshme.

“Serbia i ka vlerësuar dhe i ka deponuar [provat]. Tash Franca, duhet me të bindet dhe të konstatojë se vërtetë këto prova qëndrojnë ose jo. Fakti se është caktuar seanca më 2 mars nuk do të thotë domosdoshmërish se do të zgjidhet kjo kërkesë me – po ose jo”, tha Salihu.

Një gjykatë franceze në Colmar të enjten ka shtyrë vendimin për lirimin ose ekstradimin në Serbi të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, deri më 2 mars. Pas përfundimit të seancës Haradinaj tha se “Serbia po provon ta pengojë rrugën e Kosovës si shtet i pavarur e sovran”.

Analisti politik Driton Selmanaj mendon se vonesa e mëtutjeshme e një vendimi në institucionet e drejtësisë në Francë për Haradinajn, nxit dyshime të tjera përtej çështjeve juridike.

“Prolongimi i vendimmarrjes për Haradinajn, nxit dilema. A mund të jetë ndonjë aranzhim i cili mund të lidhet edhe me Gjykatën Speciale, kjo është herët ndoshta të thuhet, por këtu gjithçka nuk po duket e qartë. Ka dilema. Them prolongimi i mëtutjeshëm nxit dyshime rreth asaj se a është një proces i pastër, krejtësisht juridik apo ka diçka tjetër përtej kësaj”, tha Selmanaj.

Ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga zyrtarët e institucioneve të Kosovës është cilësuar si i papranueshëm.

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës Enver Hoxhaj, e ka quajtur të pakuptimtë dhe të panevojshme mbajtjen e mëtutjeshme të Haradinajt në Francë.

“Kemi ofruar mbështetjen e nevojshme shtetërore dhe diplomatike duke besuar thellë në pafajësinë e tij. Mbajtja e mëtutjeshme është e pakuptimtë dhe e panevojshme”, ka shkruar Hoxhaj, në rrjetin social Facebook.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ndalua nga autoritetet franceze me 4 janar në aeroportin e Bazelit, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, që daton nga viti 2004.

Haradinaj ishte komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pas luftës themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një parti parlamentare të cilën ai e udhëheq akoma.(REL)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img