0.7 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

Buy now

spot_img

Edhe zjarrfikësit e pakënaqur me pagat, kërkojnë pagesën e rrezikshmërisë

Ligji i ri i Pagave ka parashikuar rritje për kategoritë e zyrtarëve publik shtetërorë.
Por, ky ligj si duket ka pasur “pasoja” të tjera për disa kategori të zyrtarëve publik, përfshirë këtu Policinë dhe Zjarrfikësit e Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, në një prononcim ka bërë të ditur se njëjtë sikur tek policët, largimi i pagesës së rrezikshmërisë ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha edhe tek zjarrfikësit.

Zjarrfikësit kanë ngritje në pagë bazë, kjo është evidente. Mirëpo, të hyrat nuk janë sa është rritja, pasi që mungon pagesa e rrezikshmërisë që ka qenë më herët. Këtë muaj pra nuk i është paguar rrezikshmëria zjarrfikësve, as 30 euro që i kanë të shërbyesve civilë, si mjete shtesë që i kemi pasur. Pra më herët kemi pasur pagën bazë dhe 107 euro kemi pasur pagesë të rrezikshmërisë”, ka thënë Beka.

Ai ka thënë se zjarrfikësit më parë kanë marrë 499-500 euro në total (përfshirë pagesën e rrezikshmërisë), varësisht edhe nga përvoja e punës.

“Ka zjarrfikës me mbi 25 vjet përvojë pune, ju paguhet edhe një përqindje e përvojës së punës”, ka thënë Beka.

Ai ka thënë se presin që muajin tjetër të paguhet edhe rrezikshmëria e zjarrfikësve.

“Paga bazë ka ngritje, por mungojnë të hyrat prej 130 eurove. Zjarrfikësit kanë pritur që do të ketë 200 euro ngritje në pagë bazë, sepse ashtu është proklamuar dhe ashtu është aktualisht, mirëpo të hyrat nuk janë, pra mungojnë në total 137 euro, pra 107 euro të pagesës së rrezikshmërisë dhe 30 euro shtesë të shërbyesve civilë. Pra, paga bazë është në rregull, mirëpo të hyrat mungojnë. Mungon rrezikshmëria dhe ajo e shërbyesve civilë. Po presim tash muajin tjetër të bëhet pagesa edhe për këtë pjesë”, ka thënë Beka.

Ai ka thënë se me Ligjin e ri të Pagave është bërë edhe një gabim tjetër, të cilin komuna e Prishtinës është zotuar për ta përmirësuar.

“Një gabim që ka shkaktuar pakënaqësi tek zjarrfikësit është gabimi i mos-sistematizimit. Pra, ata që kanë pasur koeficientin e pagave 7, tash e kanë 5.1, koeficient gati sa zjarrfikësit e thjeshtë. Mirëpo kjo do të përmirësohet, së paku kështu na kanë thënë nga Komuna e Prishtinës. Pra gabimi është se zjarrfikësit nuk janë paguar sipas pozitës, njëjtë është paguar si zjarrfikësi i thjeshtë, si udhëheqësi i ndërrimit. Është gabim që po shpresojmë se rregullohet muajin tjetër”, ka thënë Beka.

Tutje, kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve ka deklaruar se nuk beson që zjarrfikësve do t’ju ndërpritet pagesa e rrezikshmërisë, por nëse kjo ndodh, atëherë sipas tij rritja e pagës me Ligjin e ri të Pagave është shumë e ulët.

“Nëse zjarrfikësve ju ndërpritet pagesa e rrezikshmërisë, e cila po besoj se nuk do të ndërpritet, atëherë paga bazë është shumë e ulët. Ne kemi qenë me vite duke punuar me paga të ulëta, kemi qenë të diskriminuar. Një pagë e zjarrfikësit ka qenë 321 euro, në disa komuna edhe 283 euro ka qenë paga bazë. Andaj, këtë rritjen tash e quaj nivelizim”, ka thënë Beka.

Me gjithë pakënaqësitë e shkaktuara, Beka ka thënë se nuk mund të konkludojë nëse mos-pagesa e rrezikshmërisë do të nxisë greva tek zjarrfikësit.

“Atë nuk mund ta them tani, nuk mund të deklaroj asgjë, po presim përgjigjen e komisionit të Qeverisë, që kanë me vlerësu rrezikshmërinë. Është profesion me specifika të veçanta, ju ekspozohemi rreziqeve të shumta, andaj edhe presim të na vlerësohet rreziku specifikisht”, ka thënë Beka.

Në fund, ai ka deklaruar se nëse gjatë muajit tjetër nuk ekzekutohet edhe pagesa e rrezikshmërisë për zjarrfikësit, do të diskutohet me kryetarët e shoqatave dhe do të dalin me një deklaratë për opinionin.

Kujtojmë se për mos pagesën e rrezikshmërisë së fundi ka reaguar edhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, i cili ka deklaruar se kjo ka shkaktuar pakënaqësi dhe mllef tek zyrtarët policorë.

Mos pagesa e rrezikshmërisë gjatë muajit shkurt të këtij viti, ka bërë që disa kategori të zyrtarëve policorë të marrin edhe më pak pagë sesa me ligjin e vjetër të pagave, ku iu është paguar rrezikshmëria.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img