Milot Rashica e ka bindur Galatasarayn me paraqitjet e tij.
Ylli kosovar është duke e kaluar këtë sezon në formë huazimi në Stamboll nga Norwich City, i cili e mban kartonin e tij.
Vushtrriasi hasi në vështirësi në fillim të eksperiencës së tij në Turqi, por me kalimin e muajve e gjeti veten dhe tash po ndihet mjaft komod aty.
Përfaqësuesi kosovar i ka realizuar 3 gola dhe i ka bërë 4 asistime në 23 ndeshje të zhvilluara deri tash në këtë edicion.
Kjo ka bërë që Galatasaray të vendos ta blejë kartonin e futbollistit.
Lajmin e ka bërë të ditur mediumi turk “Fanatik”.
Gjithnjë sipas këtij mediumi, gjiganti turk është i gatshëm t’i paguajë 5 milionë euro për kartonin e lojtarit, të cilin do t’ia paguante klubit anglez në tri rata.
Norwichi vitin e kaluar ra nga Premierliga dhe Rashica nuk deshi të luante në Championship.
Ish-futbollisti i Werder Bremenit do të ishte i lumtur nëse do t’i mundësohet qëndrimi afatgjatë në Stamboll.