Deputeti Luan Aliu, ka reaguar i revoltuar pasi bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hysenin, dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal në Gjilan, Arianit Sadiku, u ndaluan sot nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Dheut të Bardhë.
Ai tha se kanë pritur më shumë se dy orë e krejt më pas është lejuar udhëtimi i tyre.
Mirëpo i njëjti tha se atyre nuk u kumtua asnjë arsye pse i kanë ndaluar për më shumë se dy orë, që Aliu e konsideroi malltretim.
Reagimi i plotë:
Bashk me Kryetarin e Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Gjilanit, dhe aktivistë të Qendrës së LVV në Gjilan, sot, duke shkuar në Bujanoc në një vizit private, në pikën kufitare të Dheut të Bardhë u ndaluam nga autoritetet serbe për më shumë se 2 orë pa na u dhënë asnjë arsye se pse jemi ndaluar në këtë pikë kufitare.
Me të kuptuar se policia serbe po na maltreton pa ndonjë arsye, e kam lajmëruar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe në koordinim me ta jam lidhur me Zyren ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe i kam lajmëruar në detaje për rastin dhe ata më thanë se do të merren menjëherë me këtë çështje duke i njoftuar edhe institucionet ndërkombëtare. Pas kontaktimit me MPB na u dhanë dokumentat menjëherë dhe vazhduam rrugën tonë.
Ndalimi i jonë është një provokim dhe maltretim i panevojshëm nga ana e Serbisë, mbase kjo ndodhi edhe në momentin kur po ndodhë takimi i sotëm në Bruksel ndëmjet dy vendeve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, ata mundohen të tensionojnë situatën duke përdorur figura politike dhe qytetarët. Kjo është më shumë se hipokrizi.