Kryeparlamentari Veseli është shprehur se të gjithë janë me Haradinajn dhe institucionet e Kosovës do të angazhohen për lirimin e tij
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është shprehur se akuzat nga Serbia për kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn janë të papranueshme.
Ai përmes një postimi në facebook është solidarizuar me Ramushin, familjarët dhe bashkëpunëtorëyt e tij duke shtuar se të gjithë do të angazhohen për lirimin e tij.
”Me keqardhje mësova për zvarritjen e marrjes së vendimit nga gjykata franceze për bashkëluftëtarin Ramush Haradinaj. Akuzat nga Beogradi kundër Haradinajt janë të papranueshme. Me këtë rast, solidarizohem me Ramushin, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij, duke i siguruar se të gjithë jemi pranë tij dhe Institucionet e Republikës së Kosovës do të angazhohen për lirimin e tij”, ka shkruar Veseli në facebook.
Ndërkohë, gjykata franceze ka shtyrë vendimin për lirimin e Haradinajt deri me datën 2 mars.
Haradinaj ishte arrestuar më 4 janar nga polica franceze në aeroportin e Bazelit me fletëarrestin e Serbisë të vitit 2004.