Gazeta franceze Le Figaro ka publikuar para disa çasteve një hetim njëvjeçarë në lidhje me Superligën e Kosovës. Aty thuhet se të paktën katër ndeshje janë trukuar për t’iu ofruar bastorëve, si në Francë ashtu edhe në Kosovë. Tutje thuhet se për këtë ka dhe të arrestuar, deri tani nëntë persona.
Aktakuzat janë ngritur në Nancy të Francës dhe pas një hetimi prej gati një viti është hetuar korrupsion sportiv dhe mashtrim i organizuar, ku përfshihet një skuadër e elitës së futbollit kosovar.
“Shërbimi Qendror i Garave dhe Lojërave (SCCJ) për gati një vit ka hetuar korrupsionin sportiv dhe mashtrimin e organizuar, ku përfshihet një klub i Superligës së Kosovës”, tha gjykata në një deklaratë.
Gjykata nuk specifikoi se për cilin klub bëhet fjalë, por thuhet se në bazë të analizave të koeficienteve dhe video-incizimeve të disa ndeshjeve, u bë e mundur konfirmimi i manipulimit të rezultateve të disa prej ndeshjeve.
Hetimi bëri të mundur që të gjenin anëtarët të vendosur në Francë dhe Kosovë që kishin bërë manipulimet në rezultate, për të marrë fitime të konsiderueshme nga këto ndeshje, të njohura paraprakisht.