Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në fillimet e Gjykatës Speciale, janë shprehur kategorikisht kundër themelimit të saj.
Këtë mendim ende e mban veterani i UÇK-së, Xhevdet Qeriqi i cili në RTV Dukagjini, ka thënë se Gjykata Speciale nuk do të sjellë asnjëherë drejtësi.
Sipas tij, krerët e UÇK-së, nuk e kanë kryer asnjë krim që pretendohet nga kjo gjykatë.
“Nuk besoj për arsye se krerët nuk kanë pasur fare kohë për t’u marrë me këtë pjesë që po akuzohen, janë marrë me organizimin e luftës me organizimin e njësiteve në terren, e dimë si ka qenë komunikimi, ka munguar komunikimi gjithë ditën është dashur të presim të kemi komunikim mes vete me njësi të tjera”, ka thënë ai.
Qeriqi është shprehur se që nga themelimi i saj i ka intervistuar qindra ish-ushtarë të UÇK-së, të cilët sipas tij ende nuk e dinë se në çfarë cilësie janë intervistuar.
“E shoh si lojë politike, duke pasur parasysh se kjo gjykatë i ka intervistuar me qindra luftëtare, dhe po i mban peng nuk po i njofton a janë të akuzuar a janë në cilësinë e dëshmitarit, po shihet se është lojë e tyre”, ka thënë ai.
Në fund Qeriqi, ka thënë se ish-krerët e UÇK-së, do të dalin të pafajshëm.