KESCO ka bërë të ditur se është njoftuar nga KEK-u në ora 13:51 se ka rënë nga sistemi në mënyrë të paplanifikuar njësia B1 e Termocentralit Kosova B, i cili gjatë ditëve të fundit edhe ashtu kishte punuar me kapacitet të reduktuar.
Rënia e këtij blloku ka krijuar mungesë të menjëhershme të rreth 200 Megavatë/orë energji elektrike, gjë që vështirëson furnizimin me energji elektrike.
KESCO për momentin, sipas planit është duke importuar rreth 200 MW , por kjo sasi është e pamjaftueshme të mbulojë tërë kërkesën sidomos tani pas rënies së bllokut B1.
KESCO menjë herë ka nisur procedurat e importit shtesë për te mbuluar hendekun e krijuar.
Siç jemi njoftuar nga KEK, blloku B1 pritet të kthehet në sistem të shtunën në ora 00:00.
KESCO falënderon konsumatorët për mirëkuptim dhe mbetet e përkushtuar për të bërë maksimumin për të tejkaluar këtë situate.