Një fëmijë është sulmuar fizikisht në një çerdhe në Mitrovicë nga edukatorja e këtij institucioni.
Ngjarja ka ndodhur të hënën në kopshtin dhe çerdhen “Nina” dhe lajmi është bërë i ditur nga pronarja e këtij institucioni, Agnesa Shipoli Nika.
Përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të çerdhes në Facebook, ajo ka thënë se për rastin është njoftuar nga menaxherja e institucionit, e cila ka ngritur dyshimet për se edukatorja me inicialet A.A ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës me inicialet S.I, gjatë kohës sa i njëjti i është besuar në ruajtje dhe kujdes.
“Menjëherë pas pranimit të këtij informacioni kam bërë shiqimin e video-kamerave të institucionit me ç’rast kam vërtetuar se edukatorja e kishte qëlluar fëmijën me S.I me një shuplakë në fytyrë”, thuhet në njoftimin e Shipoli Nikës.
Më pas ajo ka bërë të ditur se e ka ftuar edukatoren në fjalë për t’i kërkuar sqarim lidhur me sjelljen e saj të kundërligjshme, por siç ka thënë veprimi është bërë në afekt dhe pa dashje.
”Nisur nga fakti se sjelljet e tilla janë të papranueshme në institucionin tonë dhe njëherit janë sjellje kundërligjore, pa humbur kohë kam kontaktuar me prindin e fëmijës V.I, të cilin e kam njoftuar lidhur me rastin që ka ndodhur duke i ofruar dëshmitë e nevojshme në dispozicion”, është shprehur tutje pronarja e çerdhes.
Gjithashtu, ajo ka thënë se prindin e fëmijës e ka inkurajuar që rastin ta inicioj në Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës deri në zbardhjen e plotë të tij.