- Në dy vitet e fundit 2021-2022, tregtia me Kosovën është rritur me 54%
- Potenciali për vitet 2023-2025 është ta rrisim dy herë!
Në Jubileun e 15 Vjetorit të Kosovës si shtet i pavarur, ia vlen të bëjmë një përmbledhje të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes të dyja vendeve tona. Sipas INSTAT, në pesëmujorin janar-maj 2022, kemi eksportuar 16 përqind më shumë mallra në tregun kosovar, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. Eksportuam 132 milionë euro mallra, në krahasim me 114 milionë euro në janar-maj 2021. Ecuria ka qenë e ngjashme dhe në 7 muajt e tjerë të vitit.
Tabela 1. 15 vjet tregti me Kosovën
Tregtia(import-eksport) ndër vite:
- L2014: 203 mln euro
- 2016: 184 mln euro
- 2019: 308 mln euro
- 2020: 283 mln euro
- 2021: 434 mln euro
- 2022: 469 mln euro
- Tregtia me Kosovën, rritje me 54 përqind në dy vitet e fundit!
- Bilanc pozitiv tregtar
Kjo rritje dyshifrore është shumë premtuese. Zyra doganore e Kosovës në Portin e Durrësit po ecën shumë fort. Potenciali i tregtisë dhe investimeve Shqipëri-Kosovë është me herë më i lartë se sa shkëmbimet e sotme tregtare dhe ekonomike mes të dyja vendeve tona.
Çfarë japim dhe marrim me Kosovën
Edhe pse ekonomitë e dy vendeve tona dhe eksportet e tyre janë të ngjashme, sërisht mundësitë për të rritur fort shkëmbimet tona tregtare janë reale. Bashkëpunimi i dy qeverive, projektet e hekurrudhës Durrës-Prishtinë, të portit të Shengjinit, që t’i jepet në përdorim qeverisë së Kosovës dhe perspektiva që hap porti i ri tregtar i Durrësit në Porto-Romano, të japin shumë besim.
Tabela 2. Çfarë marrim e japim me Kosovën?
Në 143 milionë euro në vit, nga Kosova marrim:
- Metalet bazë dhe artikuj prej tyre: 29.4%
- Artikuj të ndryshëm të prodhuar: 24.4%
- Plastika, goma dhe artikuj prej tyre: 9.8%
- Produkte bimore: 7.9%
- Ushqime të përgatitura, pije, duhan: 7.2%
- Produkte minerale: 5.9%
Në 326 milionë euro në vit, në Kosovë dërgojmë:
- Materiale ndërtimi: 26.3%
- Mjete transporti: 16.4%
- Produkte minerale dhe energji elektrike: 13.1%
- Ushqime të përgatitura, pije, duhan: 10.2%
- Pajisje mekanike, makineri: 6.2%
Potencial i jashtëzakonshëm i marrëdhënieve tona ekonomike dhe tregtare
Përmirësimet në rregjimin doganor dhe në procedurat burokratike të shkëmbimeve tregtare janë të ndjeshme. Janë reduktuar kostot dhe koha në kufi e operatorëve ekonomikë nga Kosova. Nëse në vitin 2021, në kufi, për të kryer 10 hapa procedurialë e dokumentarë duheshin nga 30 minuta deri në 7 ditë, në 2022 kryhet vetëm vetëdorëzimi i dokumentave, duke shpenzuar maksimalisht nga 5-10 minuta! Kjo ka sjellë kursimin e mbi 6,600 orëve pritje në kufi dhe rritje me 54% të eksporteve.
Me hekurudhën, eksportet dhe importet Shqipëri-Kosovë do të mund të shumëfishohen brenda një kohe shumë të shkurtër.
Tabela 3. POTENCIAL I JASHTËZAKONSHËM
- Kosova eksporton vetëm 7.4% të mallrave të saj në Shqipëri
- Shqipëria eksporton vetëm 9.8% të mallrave të saj në Kosovë.
- Potenciali është që t’i rrisim eksportet me njeri-tjetrin të paktën me DY HERË!!
Hekurrudha Durrës-Prishtinë: vetëm ëndërr?
Më 6 korrik 2022, qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për Studimin e Fizibilitetit dhe Projekt-Idesë për Lidhjen Hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Qëllimi i marrëveshjes ishte përcaktimi i procedurave dhe ndarja e kostove ndërmjet palëve, për financimin e Studimit të Fizibilitetit të Hekurrudhes Durres-Prishtine, në zbatim të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Si Kosova dhe Shqipëria kanë rënë dakord të shpenzojnë seicila nga 1 milion euro për studimin e leverdisshmërisë së hekurrudhës.
Projekti i leverdisshmërisë do të përfshijë edhe Portin Tokësor të konteiniereve në Prishtinë, i cili në gjuhën teknike quhet “port i thatë” . Hekurrudha Durrës-Prishtinë lidh tonelatat e mallrave të portit të Durrësit me dërgimin e tyre me sa më pak kosto dhe në kohë reale në Prishtinë. Ajo ka edhe rëndësi gjeopolitike, jo vetëm ekonomike.
Me hekurrudhën, eksportet dhe importet Shqipëri-Kosovë do të mund të dyfishohen brenda një kohe shumë të shkurtër. Linja hekurudhore Durrës-Prishtinë, përveç plotësimit të një ëndrre në kuptimin historik të shqiptarëve, do të luajë një rol të rëndësishëm drejt bashkimit dhe zhvillimit ekonomik të dy vendeve.
Tregtia Kosovë-Shqipëri dhe porti i ri në Porto-Romano
Portit i ri i Durrësit në Porto Romano do të jetë i integruar me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe me portin e konteinereve në Prishtinë. Porti i konteinerëve në Prishtinë pritet të trajtojë deri në 100 mijë konteinerë në vit, ndërsa porti detar i Porto Romanos do të mirëpresë 1 milionë udhëtarë në vit, si dhe do të përpunojë në të 450 ha e tij rreth 2 milionë konteinerë me rreth 50 milionë tonë mallra.
Tabela 3. Porti i ri në Porto-Romano dhe perspektiva Kosovë-Shqipëri
Treguesit | Cilësime |
450 ha shtrirje. 2 milionë konteinerë (Në portin e sotëm tregtar të Durrësit mund të vendosësh vetëm 560 mijë konteinerë) | Do jetë më i gjerë dhe më i madh se porti i sotëm tregtar në Durrës Port në shërbim të hekurrudhës Durrës-Prishtinë Port në shërbim të porteve të thata në Prishtinë dhe Strugë |
Ky integrim pritet ta kthejë Durrësin në një nga portat strategjike të ekonomisë së Mesdheut.
Me portin e ri në Porto Romano dhe hekurrudhën Durrës-Prishtinë, Shqipëria dhe Kosova synojnë të bëhen pjesë e korridoreve brenda Ballkanit, por edhe pjesë e korridoreve që i lidhin të dyja vendet me Evropën Perëndimore.
Porti që do të ndërtohet në Porto Romano është një projekt ndër më modernët në zonën e Mesdheut. Ai do të ketë një ndikim shumë të madh në zhvillimin e tregtisë. Porti i Durrësit, i zhvendosur në Porto Romano, do të zhvillohet si një port i transportit të mallrave, kryesisht me destinacion Prishtinën dhe Shkupin. Përmes linjës me Prishtinën, ky port do të ketë komunikim të drejtpërdrejtë me Korridorin 10, dhe po përmes Prishtinës, por edhe Shkupit, do të lidhet me Sofjen, me Stambollin drejt Azisë.