Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i është përgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje për videon ku u shënjestruan ajo dhe ekonomistët e tjerë të kësaj partie.
Bajrami tha se ata kanë qenë profesorë universitarë para se të merrnin funksione në LDK.
“A e dini që keni ba video, bile me llogo të Fakultetit Ekonomik, qysh s’ju ka ardh turp bre sepse Universiteti i Prishtinës është i shenjtë, i ka ba 53 vjet. E na si profesorë aty, na kemi qenë profesorë para se me marrë funksione në qeveri e në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Na kemi qenë të vetëdijshëm, të edukum kemi shku në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Na nuk kemi qenë studenta, kur kemi marrë funksione kemi qenë profesorë universitarë dhe ju keni ba video se qysh akademikët e LDK’së propozojnë masa për falje të tatimeve dhe çka bënë kryeekonomisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ministri i Financave thotë po ua falim 100 euro, nuk ia zgjidh problemin me ia fal 100 euro”, tha Bajrami.
Në atë video, VV thotë se propozimet e ekonomistëve të LDK-së po iu shërbejnë grupeve të interesit, duke përmendur këtu propozimin e LDK-së për ta ulur dhe hequr akcizën dhe TVSH-në e naftës, tërheqjen e 30% të Trustit, si dhe uljen e tatimeve dhe rritjen e pagave.
“Në të tria rastet, pra asnjë ide serioze”, thotë VV-ja për LDK-në. Në videon e VV’së dëgjohen edhe fjali të tilla “se sistemin pensional njëherë na e shkatërroi Serbia, së dyti na e deshën të na e shkatërrojnë doktorët e LDK’së”. Derisa kjo fjali shoqërohet me pamjen e kreut të LDK’së Lumir Abdixhikut.
VV mburret se përballë LDK’së ka dalë fituese në debatet mbi ekonominë.
“I kemi parë në qeverisje, privatizim, stagnim, shtrenjtim, varfërim i mëtejmë i qytetarëve.”
Tutje VV lë të kuptohet se në kohën e tyre është duke lulëzuar ekonomia.
“Me qeverisjen e re ka ndryshuar kursi i ekonomisë, ndonëse kishim pandeminë për dy vite, agresionin ushtarak rus në Ukrainë, inflacionin, krizën ekonomike me energjinë, ne shënuam rritje ekonomike në secilin vit dhe për vitin 2023 sipas Bankës Botërore do ta kemi rritjen më të madhe në rajon” thuhet në videon e VV’së.