Shtrenjtimi i çmimeve nuk po njeh ende një majë. Lufta Ukrainë-Rusi ka ndikuar që norma mesatare vjetore e inflacionit për vitin 2022 në Kosovë të jetë 11.6%.
Në lidhje me gjendjen e çmimeve të produkteve esenciale, për Gazetën Insajderi ka folur, Selatin Kaçaniku nga Shoqata “Konsumatori”.
Ai ka thënë se ngritja e çmimeve pos që ka varfëruar shtresën e varfër të popullsisë ajo rrezikon mirëqenien edhe të shtresës së mesme.
“Prej tyre 30% janë familje të varfra tani më kanë falimentuar. Falimentimi po e kërcënon edhe shtresën e ashtuquajtur të mesme sepse nuk kanë nga të ia mbajnë, nuk mund të ballafaqohen me to, nuk kanë përkrahje as nga qeveria”, ka thënë ai.
Ai ka kritikuar edhe përpjkjet për vendosjen e çmimeve tavan.
“Vendosja e çmimit tavan nuk është e logjikshme, nuk është konform ligjeve, nuk është konform standardeve ekonomike. Ajo që duhet të bëjë qeveria është që të sigurojë zbatushmëri të ligjeve të cilat akoma janë nën 40%. Pra, nëse qeveria lejon që ligjet të zbatohen nën 40% nuk mund të arsyetohet me mekanizma të ndryshëm, me memorandum ose me zëvendësime siç janë platformat e tavanit”, ka deklaruar Kaçaniku.
Sipas tij, që gjendja të zbutet, qeveria duhet të marrë masa të ndryshme nga ato që ka marrë deri më tani.
“Qeveria duhet të fillojë të njoh familjen konsumatore, të bashkëpunojë me të dhe ta dëgjojë”, ka thëna ai.
Kaçaniku ka thënë se nëse ligji për financimin e subjekteve politike nuk do të ishte në fuqi me ato para do të zbutej gjendja e shumë personave që jetojnë në kushte jo të mira.
“Imagjinoni po të mos ishte financimi i partive politike, financimi i dështimit të sencave në parlament sa do t’i kontribonte buxhetit të konsumator taksapagues, pasi do të gjendeshin forma tjera me ndihmu në veçanti rastet sociale, njerëzit me nevoja të veçanta, pensionistët”, ka përfunduar Kaçaniku.