Tashmë ka kaluar gati një javë nga tërmeti vdekjeprurës në dy shtete, Turqi dhe Siri, në të cilat numri i viktimave ka arritur shifrën mbi 28 mijë.
Por, operacionet për gjetjen dhe nxjerrjen e personave nga rrënojat po vazhdojnë edhe gjashtë ditë pasi dy tërmetet e fuqishme goditën Turqinë dhe Sirinë.
Hataji mbetet zona më e rëndë në shtetin turk, ku po bëjnë kërkime, përveç Forcës së Sigurisë së Kosovës (FKS), edhe disa pjesëtarë të Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit, të cilët vullnetarisht kanë udhëtuar nga Kosova në Turqi.
Në një lidhje telefonike për KosovaPress, nga provinca Hataj, Ilir Gaxha nga kjo shoqatë, ka treguar të shtunën se janë përgatitur me pajisje teknike të duhura dhe kanë ofruar ndihmën e tyre në kërkimin dhe nxjerrjen e trupave nga rrënojat.
“Me shoqatën e kërkim-shpëtimit kemi ardhur me ndihmu, me gjetë njerëz të mbijetuar por edhe të japim ndihmën në kthimin e trupave. Shoqata e Kosovës për kërkim-shpëtim ka shprehur interesim që të vijë dhe në bashkëpunim me Ambasadën Turke, kemi arritur ta arazhojmë udhëtimit. Jemi pajisur, përgatitur dhe jemi personeli prej gjashtë personave. Udhëtimi ishte i gjatë, jemi nisur nga Prishtina në ora 9 me shumë pajisje dhe ndihma humanitare, kemi marrë pajisje të sofistikuara për kërkim-shpëtim urban. Kemi arritur në Aeroportin e Stambollit, prej aty me ndihmën e policëve dhe shoqatave turke, kemi lëvizë në Aeroportin e Adana, i cili ishte aeroporti i vetëm afër zonës së prekur që funksionon”, është shprehur ai.
“Nga aty me automjet kemi udhëtuar mbi gjashtë orë nëpër kolona për me arrit në qytetin e Hatajit që është vendi më i prekur. Ne insistuam të vijmë këtu sepse edhe trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë është e vendosur aty te stadioni, ku e vendosëm kampin”, ka treguar tutje Gaxha.
Ai bashkë me pjesëtarë të tjerë të kërkim-shpëtimit po operojnë në zonën e Hatajit dhe po bashkëpunojnë me minatorët, duke u ofruar atyre edhe pajisjet e tyre teknike të cilat i posedojnë.
Ndërkaq, Gaxha ka treguar se minatorët kanë rreth 2 mijë trupa që janë aktiv atje, dhe se kanë pajisje shumë primitive, lopata, shufra të metalit, dhe jo pajisje motorike.
“Ata thanë nëse kombinohemi do të bëhemi një ekip shumë më i mirë që të punojmë së bashku me pajisjet tona teknike dhe me forcën punëtore të tyre”, është shprehur ai.
Po ashtu, ai ka treguar se kur iu është thënë që të jenë në gatishmëri të merren vetëm me gjetjen e të gjallëve në moment që i alarmojnë dhe të jenë të pushuar, mirëpo pavarësisht kësaj sipas tij, ata kanë insistuar që të ndihmojnë edhe në gjetjen e trupave të vdekur, dhe nuk kanë dashur të pushojnë, e të jenë në gatishmëri vetëm për thirrje alarmante.
“Ata u pajtuan dhe ndërkohë ne u aktivizuam dhe ishte mahalla Rexhep Taip Erdogan, në rrugën kryesore që quhet Kemal Ataturk dhe këtë lagje që ishte kryesisht me banorë sirianë dhe turkë, ne arritëm të nxjerrim një numër të madh të kufomave në bashkëpunim, pajisjet tona teknike luajtën rol kyç dhe guximi, vendosmëria dhe përgatitja teknike e djemve tanë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai ka thënë se janë momente shumë prekëse ato kur duhet të nxjerrin kufomat prej rrënojave dhe t’ua japin familjarëve të tyre.
“Alberti, Mentori, Fanoli së bashku me Nebihun u treguan tepër shumë të vendosur dhe humanitar ku edhe kufomat i nxorën me duart e tyre pa hezituar. Ishte zotësia jonë që improvizuam sepse nuk kishin pajisje të mjaftueshme për të tërhequr gjithë ato kufoma që ishin dhe i morëm këto rripat e sigurimit në automjetet që janë të shkatërruara këtu në lagje dhe ato i shfrytëzuam për t’i nxjerrë kufomat dhe për të iu dorëzuar familjarëve. Ishin momente shumë prekëse”, ka treguar Gaxha.
Gjithashtu, ai ka thënë se fatkeqësisht ka aq shumë njerëz atje që janë duke iu bërë presion të gjitha organizatave, të gjithë vullnetarëve me prioritet me i nxjerr familjarët e tyre të vdekur, mirëpo sipas tij, ata po duhet t’u japim prioritet personave të cilët janë të gjallë.
Ambasada britanike në Prishtinë, si dhe një nga bankat në Kosovë, i kanë ndihmuar gjatë mobilizimit për të udhëtuar drejt Turqisë, ka bërë të ditur Gaxha, duke shtuar se ndihma e tyre vjen për të gjetur dhe shpëtuar personat e bllokuar në ndërtesa.
Kujtojmë se FSK-ja më 8 shkurt, ka shpëtuar nga rrënojat e tërmetit në Turqi një fëmijë të moshës 2-vjeçare.
Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga mëngjesi i 8 shkurtit janë duke operuar me kapacitete të plota në Hataj të Turqisë.
Përveç shpëtimit të fëmijës, pak orë më vone, FSK-ja njoftoi se kanë nxjerrë të gjallë nga rrënojat edhe nënën e fëmijës.
Në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit, kanë humbur jetën mbi 28 mijë persona.
Mbrëmjen e po kësaj dite, një kontingjent i FSK-së ishte nisur drejt Turqisë për t’i dalë në ndihmë këtij shteti.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e shpalli të mërkurën ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Ekipe me specialistë nga vende anembanë botës janë mobilizuar për të ofruar ndihmë në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi e Siri.