Të shtunën (11 shkurt), në orën 12:00 do të mbahet protesta e katërt kombëtare e thirrur nga i pari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha.
Berisha përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar “Uragani po vjen”.
Ndërkaq, protestuesit si fillim do të mblidhen në selinë e PD-së, më pas në sheshin “Skëndërbeu”, pastaj tek sheshi “Nënë Tereza”, për të vijuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Kjo protestë është ndërmarr si reagim ndaj çështjes së ish-agjentit të FBI, Charls Mcgonigal, ku në dosjen hetimore përmendet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Sakaq drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku të premten ka zhvilluar dhe një takim me drejtuesit e komisariateve të Tiranës, ku është vendosur se 1,500 forca policie do të jenë të pozicionuara në pikat e ndryshme të qytetit për mbarëvajtjen e kësaj proteste.