Analisti Visar Ymeri është shprehur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka një pozicion kundërshtues karshi Asociacionit, por as nuk shpjegon se çfarë po ndodhë ditëve të fundit rreth arritjes ose jo të një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë, që sipas Ymerit ky proces është parashikuar të zgjasë për një afat prej më shumë se dhjetë vitesh.
Ymeri ka thënë se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kur flet për Asociacionin bën analizë të situatës, gjë që sipas tij duhet ta bëjnë analistët e jo kryeministri.
“Ky pozicionim i Kurtit është fallco, është inekzistent për sa kohë që nuk ndërmerr masa për me bo juridik, qëndrimin e tij politik, përndryshe është analizë e situatës. Një pjesë e konsiderueshme pra është analizë e situatës, Serbia nuk po e do këtë, po dakord çfarë e ki ndërmend me bo Albin…? Analizë bëjmë ne, jo kryeministri. Ka pas situata absurde në politikën tonë. Pse po më vet mu, a duhet të bëhet Asociacioni? Kjo është përgjegjësi e këtij personi dhe partive në Kuvend”, ka thënë Ymeri në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Ndërkaq, kritikat e tij Ymeri i kishte për faktin se qytetarët janë të pa informuar për proceset ndodhura së fundi sa i përket arritjes ose jo të një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë.
Ymeri ka thënë se një proces i tillë për të arritur drejt një marrëveshje mund të zgjasë së paku edhe dhjetë vite.
“ Kurti duhet me na tregu cilat janë të mirat që ia sjelli Kosovës në raport me dialogun me taktizimet e tij. Çka kena fitu na si Kosovë? A ka me përfundu procesi në mars? Si do të përfundojë procesi…? Ky proces ka me zgjatë dhjetë vjet së paku, ashtu siç po parashikohet. Na përgjigjet për gjitha pyetjet nuk mund t’i japim në studio. Na nuk jemi të informuem, nuk dimë asgjë për procesin”, ka vijuar Ymeri.