Ekipi i të rinjve kosovar të mundjes ndodhej në qytetin e Kahramanmarash në Turqi në kohën kur shteti turk u godit nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.6 të shkallës rihter.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi se hoteli ku qendronte ekipi i Kosovës ka pësuar dëmtime nga tërmeti. KOK gjithashtu ka njoftuar se ekipi kosovar është rrugës drejt Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Afër 600 persona raportohet të kenë humbur jetën, e mijëra të tjerë mbetën të lënduar nga tërmeti.
Epiqendra e tërmetit ishte në juglindje të Turqisë, gjegjësisht në provincën e Gaziantep, e që është ndjerë edhe në disa shtete përreth.
NJOFTIMI I KOK-ut:
Komiteti Olimpik i Kosovës bashkëndjen dhimbjen me popullin turk, pas ngjarjeve tragjike të tërmetit të fuqishëm që goditi sot Turqinë.
Në momentin e tërmetit, në qytetin Kahramanmarash ndodhej edhe ekipi i të rinjve të mundjes së Kosovës, që po merrnin pjesë në turneun “12 February”.
Pas informacioneve të siguruara, KOK bënë të ditur se i gjithë delegacioni i ekipit tonë është shëndosh dhe mirë, përkundër se hoteli ku po qëndronte ekipi kishte pësuar dëmtime.
Ekipi është në rrugë për t’u kthyer në Kosovë.