Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
E, këtë po e kërkon edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe zëvendësndihmës sekretari amerikan, Gabriel Escobar.
Kështu, thotë për Front Online, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm, të fillojmë procedurat lidhur me statutin që po e thotë edhe Esobar edhe ambasadori i Amerikës i cili nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të fillojmë procesin politik për t’i realizuar marrëveshjet të cilat i ka nënshkruar Kosova”, ka thënë Haliti.
Këto janë kushtet për pranimin e Asociacionit nga kryeminsitri Albin Kurti:
Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).