-4.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Rektori i UP-së me letër të hapur për çështjen e avancimit të stafit akademik

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka dërguar një letër të hapur drejtuar mediave dhe opinionit publik.

Dema, ka treguar që janë ndërmarr disa hapa në mënyrë që të ketë transparencë të plotë sa i përket avancimit të kandidatëve.

Më poshtë mund ta lexoni gjithë letrën e Demës drejtuar opinionit publik.

“Të gjithë të interesuarve

Ekipi i tërë në UP është i angazhuar në një proces gjithëpërfshirës për të transformuar Universitetin tonë në një universitet publik kërkimor fundamental me përmasa globale. Duke pasur parasysh sfidat e njëzet viteve të fundit dhe humbjen e sistemit të kontrollit mbi mësimdhënien, hulumtimin shkencor dhe menaxhimin në përgjithësi, transformimi që në dëshirojmë kërkon adresim të shumë sfidave të rëndësishme, shpesh themelore. Plani Strategjik i Universitetit të Prishtinës i zhvilluar së fundi trajton ndër të tjera përmirësimin në mësimdhënie, rekrutimin dhe avancimin e stafit akademik, shërbimet studentore, hulumtimin shkencor, ndërkombtarizimin dhe llogaridhënien.

Me siguri, nuk duket të ketë çështje më me rëndësi për interesin e publikut sesa çështja e avancimit të stafit akademik. Si qytetarë të këtij vendi, ne të gjithë duam të sigurohemi se stafi akademik në vendin tonë është duke u avancuar në karrierën e tyre mbështetur në standardet e pranuara globalisht që janë të verifikueshme dhe transparente. Në qershor të vitit 2016 UP ka krijuar standarde kërkimore më rigoroze për avancimin akademik. Dokumenti i njohur si “Rekomandim” Nr. 1/344 në lidhje me publikimet në revistat ndërkombëtare sipas Statutit të UP-së, i miratuar nga Senati i UP-së dhe i dhënë në dispozicion të publikut (http://www.uni-pr.edu/getattachment/Ballina/1-344,-22-6-2016,-REKOMANDIM-per-punime-shkencore.pdf.aspx) kërkon publikime të verifikueshme në revista dhe vende të respektuara në nivel global para se një kandidat i caktuar nga personeli akademik të mund të rekomandohet për avancim.

Të vetëdijshëm që sistemi i mbikëqyrjes dhe shqyrtimi i kandidatëve nuk janë të përsosur, ne kemi zhvilluar kontrolle dhe balanca me qëllim të promovimit të rregullt të personelit akademik duke u mbështetur në punën me përkushtim, mësimdhënie cilësore, hulumtim shkencor etj., e jo duke u bazuar në faktorë të tjerë. Në rastin e avancimit të fundit të 15 pjesëtarëve të stafit akademik, janë shqyrtuar puna akademike dhe botimet e çdo kandidati, për t’u verifikuar që të njëjtat janë në përputhje me Rekomandimin Nr. 1/344.  Të gjithë kandidatët të cilët janë miratuar për avancim e kanë plotësuar standardin minimal të kërkuar në Ligjin për Arsimin e Lartë, Statutin e UP-së dhe rekomandimin e lartcekur. Në rast se Senati do të miratonte kandidatë për promovim të cilët nuk i përmbushin këto standarde, ekziston një periudhë 15-ditore për të gjithë të interesuarit për të ri-shqyrtuar dhe sfiduar atë promovim.

Duke njohur të drejtën e publikut për të ditur se si UP zhvillon aktivitetet e saja, unë kam vendosur të ndërmarr disa masa për të siguruar transparencë të plotë:

UP do të publikojë rezultatet e procedurave të avancimit për kandidatë në faqen tonë të Internetit (http://www.uni-pr.edu/);
Do të krijohet një grup i punës për integritet akademik që do të përfshijë anëtarë të shoqërisë civile, akademikë të respektuar dhe përfaqësues të mediave. Ky grup do të takohet periodikisht që të na ndihmojë mua dhe ekipin tim për të ofruar të dhëna për informim më të mirë të publikut dhe për të rivendosur nivele të larta të besimit me qëllim që ky Universitet të zëjë vendin e tij në mesin e akademive kryesore të Evropës.
Ne do të dyfishojmë përpjekjet tona për të përfshirë mediat dhe aktorët e shoqërisë civile në ngjarjet e Universitetit, për sa kohë që pjesëmarrja e tyre është në përputhje me statutin dhe rregulloret tona dhe nuk cenon privatësinë e punonjësve tanë apo studentëve.

Anëtarët e stafit të UP-së dhe unë jemi të angazhuar për të siguruar arsim dhe kërkim shkencor cilësor për publikun e Kosovës dhe botës. Ne jemi në një rrugë të qartë drejt përmirësimit domethënës të funksioneve të shumta dhe objektivave të Universitetit gjatë tre viteve të ardhshme. Edhe pse dëmi i zhvillimeve në të kaluarën nuk mund të riparohet i tëri në të njëjtën kohë, ne besojmë se jemi duke bërë përparim domethënës drejt qëllimeve tona. Ne ftojmë tërë opinionin të marrin pjesë në këtë përpjekje, qoftë si bashkpunëtorë apo si kritikë. Palët e interesuara mund të ndjekin përparimin tonë në faqen tonë të Internetit (http://www.uni-pr.edu/)

Sinqerisht,

 

Prof. Dr Marjan Dema, Rektor”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img