Presidentja Vjosa Osmani ka uruar homologun e saj të ri çek, Petr Pavel, i cili u zgjodh president i ri i Republikës Çeke pasi mundi kundërshtarin e tij populist Andrej Babis me mbi 57% të votave.
Osmani tha se mezi pret të punojë me të për të çuar përpara raportin e shkëlqyeshëm mes dy vendeve.
“Urime Petr Pavel për zgjedhjen tuaj si President i Republikës Çeke. Mezi pres të punojmë së bashku për të ndërtuar marrëdhëniet tona të shkëlqyera dypalëshe dhe për të çuar bashkëpunimin Kosovë-Çeki në nivele të reja. Ju uroj suksese në marrjen e këtij roli të rëndësishëm”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Pavel, ish-gjeneral i NATO-s, mori 57.6% të votave, siç treguan rezultatet fillestare të publikuara nga zyra shtetërore e statistikave.
Babis – i cili shërbeu si kryeministër gjatë viteve 2017 dhe 2021 – pranoi humbjen në një fjalim para mbështetësve menjëherë pas shpalljes së rezultateve.
Ish-gjenerali do të zëvendësojë Milos Zeman, mandati i dytë i të cilit përfundon në mars.
Balotazhi i raundit të dytë midis Babis dhe Pavel u portretizua si një garë midis oligarkisë populiste dhe demokracisë liberale.