Ish-ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka thënë se nuk do që të komentojë më për ngjarjet politike.
Rexhepi i kontaktuar nga Indeksonline, ka thënë se është larguar nga politika dhe se nuk merret më me çështjet që lidhen me politikën.
“Mos më kontaktoni më se jam larguar nga politika dhe nuk merrem me këto çështje”, është përgjigjur Rexhepi kur është kontaktuar nga Indeksonline për ta komentuar deklaratën e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ky i fundit ka thënë se për 5 milionët që Kosova duhet t`i paguaj në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris për pasaportat biometrike, duhet të përgjigjen Skënder Hyseni dhe Bajram Rexhepi.
Ai ka thënë se ky është dënimi i radhës që qeveritarët aktualë po i bëjnë qytetarëve të Kosovës.
“Dënimi i Kosovës me 5 milionë euro në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris për skandalin e pasaportave është edhe një goditje në xhepin e qytetarëve të Kosovës. Këto para le t’i paguajnë milionerët Skënder Hyseni e Bajram Rexhepi dhe po ashtu milionerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të punësuar aty pa kurrfarë kriteri profesional, por në baza krejtësisht klanore dhe partiake”, kishte deklaruar Haradinaj, transmeton Indeksonline.
Ministri i tanishëm në MPB, Skënder Hyseni, është kontaktuar nga Indeksonline, por ai ka refuzuar të flasë duke e ndërprerë thirrjen.
Kujtojmë se sot, Gjykata e Arbitrazhit në Pariz ka vendosur që Kosova duhet t`i paguajë 5 milionë euro borxh për pasaportat biometrike një kompanie austriake. Kjo, sepse është bërë shkelje ligjore duke ia vonuar pagesat kësaj kompanie. Ndërkohë, borxhi duhet të paguhet në afat prej 14 ditësh.