Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka njoftuar se është shënuar 23 vjetori i themelimit të Rinisë Demokratike të Kosovës, e cila është organizatë rinore.
“Me aktivitetin dhe angazhimin e aktivistëve të rinisë së PDK-së, janë realizuar shumë punë e projekte në të mirë të komunitetit, komunave e shtetit tonë. Energjia dhe vullneti i të rinjve tanë kanë qenë shtylla të aktivitetit tonë politik për më shumë se dy dekada”, ka shkruar Krasniqi.
Kreu i PDK-së është shprehur i lumtur dhe “tejet krenar me faktin se çdo herë e më shumë të rinjë kontributin ndaj vendit po e shohin përmes PDK-së”.
“Si dikush që rrugëtimin politik e ka nisur si i ri, janë tri gjëra që unë aktivistëve tanë të rinj ua garantoj në vazhdimësi: hapësirën për veprim, besimin në angazhim dhe përgjegjësinë në vendimmarrje”, ka shtuar ai.
Tutje ai ka shtuar se të dielën e 29 janarit, një gjeneratë e të rinjve do të zgjedhin përfaqësuesit dhe strukturat e tyre drejtuese, “që në kuadër të RDK-së do të punojnë për t’i realizuar ëndrrat e tyre për Kosovën”.