-0.1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Kurti i flet Escobarit: Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjera

Kryeministri Albin Kurti rrallë ka kohë dhe dëshirë për t’i hapur letrat rreth asaj se çfarë po ndodhë në bisedimet Kosovë -Serbi. Një javë pas vizitës së pesë diplomatëve euroamaerikanë, që kërkuan në Prishtinë e Beograd, të pranohet plani franko -gjerman, Kurti ka shpalosur qëndrimet e tij për zhvillimet.  Ai ka thënë se dokumenti asnjëherë nuk i është prezantuar në formë të ultimatumit “merre ose lëre”, por si  platformë për bisedime.  Kreu i Qeverisë e pranon se ka presion për Asociacionin, dhe e di se emisari amerikan Gabriel Escobar qëllimshëm e ka organizuar takimin ku do të diskutohet kjo temë, pa e ftuar atë. Për Escobarin duket se ka më së shumti porosi. E quan  gabim të madh  “heqjen e  njohjes reciproke nga plani, për ta vendosur aty Asociacionin”. Sipas shefit të Qeverisë, kjo është kundër asaj që ka kërkuar Presidenti Biden.

Një telefonatë nga Amerika nga këshilltari Derek Chollet para tre ditësh, me të cilën Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit iu kërkua t’i çojë përpara bisedimet për Asociacionin dhe ta pranojë Planin franko gjerman, nuk ka qenë një ultimatum.

Kështu së paku tha kryeministri Albin Kurti të premten kur vendosi të bëhet pak më transparent për bisedimet Kosovë -Serbi, për të cilat kryesisht nuk ndan shumë me opinionin.

“Asnjëherë nuk më është thënë që ky është një propozim – merre ose lëre. Pra, nuk ka pasur një ultimatum të tillë asnjëherë. Andaj, edhe kemi thënë që, në parim, e konsiderojmë bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, për të cilat angazhohemi sa herë që të na ftojnë në Bruksel” ka thënë Kurti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë

Ai ka ripërsëritur se këtë plan parimisht e pranon si një dokument mbi të cilin mund të diskutohet tutje.

Në takimin e fundit me pesë diplomatët euroamerikanë Kurti tregon se u ka bërë vërejtje që në plan mungon njohja nga pesë vendet e BE’së.

“Unë insistova që të jenë edhe pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian ato që do ta ndryshojnë qëndrimin me aktin e dakordimit, për shkak se normalizimi i plotë ndihmohet pikërisht përmes njohjes nga pesëshja, e cila ende nuk i është bashkuar shumicës së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian” thotë ai.

“Pra, vërejtja ime – ka edhe të tjera – por ajo kryesorja që e kam përmendur në takimin e fundit, sigurisht që ka të bëjë me njohjen universale që na nevojitet brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ku ne aspirojmë të anëtarësohemi” shton Kurti.

Kryeministri ka ripërsëritur se e çmon përmbajtjen e dokumentit dhe gjuhën që përdoret aty, dhe përvec mungesës së njohjes, për çka kanë nisur ta kritikojnë edhe kundërshtaret e tij politikë nga PDK e LDK, publikisht nuk i ka bërë ndonjë vërejtje tjetër.

Shefi i qeverisë do që të bëhet e qartë se as Serbia nuk i ka thënë po definitive planit franko gjerman. Madje konsideron se ka një sherr aty nëse thuhet që Beogradi e ka pranuar planin.

“Përshtypja ime është se trumbetimi se Beogradi na e paska pranuar propozimin evropian, është më shumë në funksion të trysnisë mbi Kosovën, sesa që paraqet të vërtetën e saktë, për shkak se ata i kanë bërë kërkesat që na largojnë nga normalizimi. Pra, kanë bërë vërejtje që na largojnë nga normalizimi” ka theksuar Kurti.

Kryeministri që dikur dialogun nuk e konsideronte prioritet, me dëshirë ua kujton ndërmjetësve se në gusht të vitit të kaluar ishin dakorduar në Bruksel që të ketë takime të shpeshta për negociata drejtë normalizimit. Ai madje kritikon edhe mënyrën e re të negocimit – diplomacinë fluturuese – që po aplikohet nga këshilltarët e Francës, Gjermanisë e së fundi edhe Italisë, që po shoqërohen nga amerikani Escobar dhe Lajcak.

Ai do takime në Bruksel e jo diplomaci fluturuese.

“Unë kam pritur që do të kemi takime të rregullta mujore, siç jemi dakorduar më 18 gusht. Kjo nuk ndodhi. Kam besuar se mbase është për shkak të refuzimit të Serbisë, ose ndoshta ndërmjetësit kanë ndonjë plan që s’e dimë as ne. Por, është gabim që takimi i 20 janarit ka ndodhur më 20 shtator dhe në të njëjtën kohë, nuk mendoj që është mënyrë e duhur zëvendësimi i takimeve direkte në Bruksel me ndërmjetësit me diplomacinë fluturuese Prishtinë e në Beograd” ka thënë Kurti.

Për emisarin Escobar ka pasur disa porosi duke ia kthyer përgjigjen për disa deklarata se Asociacioni do të bëhet pa Kurtin dhe se një njeri dhe një indvid nuk mund ta pengojë atë.

Kundërpërgjigja e Kurtit është kjo.

“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”.

Po ashtu Kurti ka bërë me dije se nuk është ftuar fare që të marrë pjesë në takimin e ftuar nga amerikanët më 31 janar ku akterë të ndryshëm të shoqërisë kosovare, përfshirë qeveritarët, partitë politike e pjesëtarë të shoqërisë civile do të flasin  për Asociacionin.

Edhe këtë e ndërlidh me Escobar.

“Ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet”.

Kryeministri nuk ka sqaruar se si dy net më parë Emisari Lajcak që e takoi në një darkë të vonë, doli me konstatimin se me Kurtin u pajtua se duhet implementuar të gjitha marrëveshjet.

Në vend të kësaj ka argumentuar kundër këtij mekanzimi pothuajse me tone sikur sa ishte opozitar dhe kur e quante Zajednicë.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e synon rritjen e të drejtave për serbët, por territorializimin e atyre të drejtave, siç e kanë bërë në Bosnjë. Pra, në Bosnjë e kanë të drejtën e vetos, por në të njëjtën kohë e kanë edhe territorializimin e pranisë së tyre. Këtë gjë po e synojnë edhe në Kosovë, ndërkohë vazhdojnë të mos i pranojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe t’i mirëmbajnë raportet e mira me Kremlinin në Rusi”, thekson ai.

Një ditë më parë argumentoi se ata që po ia kërkojnë këtë lloj Asociacioni, duan ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Madje Kurti insiston që njohja është hequr nga diskursi dhe është zëvndësuar nga Asociacioni.

“Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik të hiqet njohja reciproke prej qendrës e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan. Unë nuk mund ta pranoj këtë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjeradhe ne do të duhej që shtetin tonë, atdheun tonë, ta duam edhe më shumë se presidenti Biden, jo më pak se ai”

Kurti ka pranuar se ndërkombëtarët mund ta ndëshkojnë Kosovën, por vetë ai ska përmendur fjalën sanksione.

“Mund ta kenë thënë në mënyrë implicite ose të aluduar që mbështetja për Kosovën që pritet, nuk do të mund të jetë e tillë nëse Kosova nuk, le të themi… nuk cilësohet si konstruktive” ka theksuar ai.

Por a mund të bëhet rezistenca e tij ndaj Asociacionit shkas për dorëheqje? Kurti thotë se ai nuk është pengesa e vetme.

“Nuk mendoj që Asociacioni është thjesht një projekt, i cili ka pengesë vetëm kryeministrin. E ka pengesë kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, demokracinë, popullin e Kosovës dhe unë nuk besoj që Kosova e ka nevojë urgjente një Asociacion të tillë”, ka deklaruar Kurti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img