Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se vendimi për rritjen e faturave të Tatimit në Pronë, padrejtësisht po tentohet t’i vishet Qeverisë. Sipas tij, ky vendim është marrë në Qeverinë Mustafa, por që ka hyrë në fuqi në kohën kur me ekzekutivin udhëhiqte Ramush Haradinaj.
Murati ka shpjeguar të premten në një konferencë për media se pjesa më e madhe e rritjes së faturave të tatimit në pronë krijohet nga tatimi i tokave.
Ai ka thënë se sipas nenit 7 të Ligjit për Tatimin në Pronë, i cili ka hyrë në fuqi më 26 janar të vitit 2018, në vitin e pestë të zbatimit të ligjit, hyn në fuqi tatimi 100 për qind i tokave.
Viti i pestë, sipas Muratit, i binte të ishte pikërisht viti 2023, që sipas tij ka hyrë edhe automatikisht në fuqi ky vendim.
“Këtu duhet të kthehemi tek ligji që ka qenë në vitin 2018 për tatimin në pronë. Ky ligj ishte miratuar nga Qeveria Mustafa, më 4 maj 2017 kur Ministër i Financave ka qenë Hoti. Ky ligj nuk arriti të miratohej në Kuvend dhe të hyjë në fuqi, sepse Qeveria kishte rënë një javë më vonë. I njëjti ligj është proceduar në qeverinë Haradinaj dhe më 26 janar 2018 është publikuar në gazetën zyrtare dhe ka hyrë në fuqi”.
“Ky ligj i ka caktuar disa afate dhe disa kushte që i obligojnë institucionet të respektohen. Ky ligj sipas neni 7 ka paraparë që në vitin e 5-të të zbatimit të ligjit të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave. Prej hyrjes në fuqi kanë filluar të tatimohen edhe tokat sepse njëherë kanë qenë vetëm ndërtesat. Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethënë këtë e obligon ligji. Ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 se tokat duhet të tatimohen dhe pjesa më e madhe e rritjes së faturave shkon nga ky tatim”, ka shpjeguar Murati./EO