1.9 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Buy now

spot_img

Të dëmtuarit nga vërshimet kërkojnë ndihmë konkrete nga shteti

Vërshimet e ditëve të fundit në Komunën e Skenderajt dhe Mitrovicës, kanë lënë dëme të madhe pas vete.

Banorë të zonave më të prekura nga vërshimet si ata të fshatit Tushilë të Skenderajt, apo edhe të Lagjes “Adem Voca” në Mitrovicë, që i ka vizituar Radio Kosova thonë se dëmet janë të mëdha. Kërkojnë ndihmë më të shpejt nga shteti.

Të hënën rreth mesditës nuk kishte reshje shiu në Tushilë të Skenderajt. Por, gjurmët e vërshimeve shkatërrimtare të ditëve të fundit jenë evidente. Në këtë fshat ka shtëpi thuajse të shembura.

E, në katet e para të shumë të tjerave, është dëmtuar pothuajse çdo gjë. Uji, prishi gjithçka edhe në shtëpinë e Hajriz Imerit, i cili tregon për Radio Kosovën se pas vërshimeve u detyrua të bartet për banim në katin e dytë të shtëpisë.

“Dëmet siç po shihen janë shumë të mëdha. Kati i parë i shtëpisë krejt është i demoluar nga uji. Janë prishur të gjitha. Krejt mjetet janë prishur. Këtu s’ka mbet gjë më. Krejt duhet të rinovohen. Kësi rasti s’ka ndodh që 100 vjet e këtej, s’besoj që ka ndodh kështu. Por, çka të bëjmë. Duhet m’i përballu të tëra”, tha ai.

Vërshimet, shkaktuan dëme të mëdha edhe në ekonomitë familjare. Përveç mijëra kilogramëve me grurë, ujërat e rrëmbyeshëm u sollën edhe shumë dëme të tjera, banorit të Tushilës, Sami Murati.

“Mua më ka dëmtuar një stallë të lopëve, ku uji ka depërtuar në rreth 2 mijë dujë ushqim për kafshë. Më ka vërshuar edhe në mijëra kilogramë me grurë. Më ka dëmtuar edhe serën. Por, në fshat ka bërë dëme edhe më të mëdha. Ka rrëzuar edhe shtëpi. Por, na ndihmoftë Zoti. Ne s’kemi çka të bëjmë”, pohoi Murati.

Ndërkohë, dhjetëra familje të komunitetit romë, ashkali dhe atij egjiptas, banorë të Lagjes “Adem Voca”, nga Mitrovica, vazhdojnë të qëndrojnë larg shtëpive të tyre, si pasojë e vërshimeve. Në mesin e familjeve të strehuara në katin e dytë të një shkolle është edhe ajo e Agron Qosës, i cili tregon se brenda pak sekondash uji rrëmbeu çdo cep të shtëpisë së tij.

“Janë duke na ndihmuar me komunë e me krejt. Unë për ta s’kam asgjë kundër. Po na sjellin paketa me ushqime e rroba, por ne në paketa nuk mund të flemë. Andaj edhe e kisha lutur komunë që sa më shpejt me marrë parasysh rastin tim dhe të bëhet diçka që me më shti në shtëpi, sepse me 22 anëtarë nuk rrihet këtu”, tha ai.

Vlerësimi i dëmeve ka filluar, thonë banorë të lagjes “Adem Voca” nga Mitrovica dhe Tushilës së Skenderajt. Të dëmtuarit nga vërshimet kërkojnë reagim më të shpejtë e ndihmë konkrete nga shteti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img