Reali i Madridit nuk e priti mirë vendimin për të shtyrë ndeshjen e së dielës ndaj Celta Vigos, vendim që u mor për shkak të problemeve të shkaktuara nga moti i keq në rajonin e Galicias në Spanjë.
Klubi madrilen këmbënguli deri në momentin e fundit për ta luajtur atë ndeshje, por nuk ia doli dhe tashmë është i indinjuar.
Pakënaqësia është kaq e madhe, sa drejtuesit e Los Blancos po mendojnë që të nisin një fushatë për të mbështetur Superligën e Evropës, që cilësohet si alternativa e Ligës së Kampionëve të organizuar nga UEFA, një ide që është pasqyruar në mediet madrilene si AS e Marca.
Sipas këtyre medieve, presidenti i kampionëve të Evropës dhe të botës, Florentino Perez po mendon seriozisht tërheqjen e Realit të Madriditi nga La Liga, një nismë që do të shkaktonte një revolucion jo vetëm në futbollin iberik, por edhe atë evropian, transmeton TopChannel.
Projekti i Superligës Evropiane nuk është një temë e re për futbollin e kontinentin e vjetër. Në të vërtetë, ai është i mbështetur nga klubet më të rëndësishme si Barcelona, Real Madrid, Chelsea, Milan apo Manchester City, me klubin madrilen që duket se do të jetë më aktivi në këtë çështje.