Shkrimtari shqiptar Dritëro Agolli, ndërroi jetë në pasditen e së premtes duke lënë prapa vetes dashurinë dhe respektin e një populli të tërë.
Kryeministri Edi Rama, i ka kushtuar një fjalim të gjatë e të bukur poetit Agolli në homazhin kombëtar kushtuar shkrimtarit.
Më poshtë fjalimi i tij i plotë:
“Ç’u bë shkollari Dritëro me bojë në duar E me penë të thyer në xhep? Ç’u bë admiruesi i zogjve krahëshkruar, Që i ndiqte nga lisi në lis, nga plepi në plep?
Po ikim. Po të tjerëve do t’u lëmë Të paktën një tregim, a një varg, Që mos skuqen kur në raft t’i vënë E kur t’i shfletojnë në dhomë a në park…” I është drejtuar vdekjes shpeshherë dhe me ‘ti’ e jo rrallë me qesëndi Dritëroi, ustai i vjershërimit njësh me tokën.
Qyshse e kam parë në djalërinë time, më ka ngjarë si i sapozbritur nga diku larg, lart, prej një vreshti të fshehur mes maleve; si i huaj futur mes luspave dhe lustrave të qytetit.
E gjithnjë ajo qenia e tij e largët, që jetonte brenda personazhit të tij qendror në jetën tonë publike, dhe shfaqej hera – herës përmes vargjesh rrëqethëse, më është dukur më e afërt se sa personazhi që nderohet sot. Prandaj, po të mos më shtrëngonte detyra, do t’i bëja bisht kësaj ceremonie dhe sëkëlldisë së madhe të të qenit këtu, pjesë e luspave dhe lustrave të qytetit; ku siç ndodh gjithnjë, kur vdes dikush që meriton një nderim të posaçëm, më të dukurit rreshtohen për t’i thënë vdekjes se ky dikushi na përket neve, jo ty!
Sëkëlldia ma sjell mu afër, para syve, atë dikushin e madh, të kyçur në atë arkë, me atë kreshtën e bardhë, fytyrën të rrahur nga të gjitha erërat, një gotë në dorë dhe sytë që sikur më thonë, ore ç’po thua(?), ore ç’është kjo mbledhje ku jeni mbledhur të flisni mirë për mua(?)…
Thashë njëherë të mjaftohesha duke lexuar vjedhurazi prej fjalëve të tij, veç këto fjalë:
“Mbylle sytë ndaj të gdhirë Dhe pranë vatrës prushin le dhe flakën, Çibukun dhe duhanin e papirë… Dhe ne lexojmë ndër nekrologjitë, Rrethuar me korniza emrin tënd, Dhe heshtim, veç heshtim…”
Po as këtë s’munda ta bëj dhe ja, ne këtu, veç flasim e flasim, për Dritëroin që ka ikur përgjithnjë, pasi i tha që të gjitha.
Por sidoqoftë është këtu Sadija.
Mua më dukej, gjithnjë e më shpesh në rrugën e takimeve tona fare të rralla Dritëroi, sikur jetonte në një dehje përfundimtare; duke u mbajtur me njërin krah tek Sadija dhe me tjetrin tek Vdekja. Më ngjante se të parës, gruas, i ishte një dashnor besnikërisht i paepur. Të dytës, Vdekjes, i luante syrin, duke i bërë me shenjë nga gruaja, si justifikim pse nuk vendoste ende t’i hidhej në krahë…
“E dashur Sadije, Të dua si jetën time, madje edhe më shumë Dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh Unë edhe i vdekur do të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde Megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket Por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia.”
Kështu e shkruajti dhe tamam kështu e bëri.
La gruan e iku me vdekjen, ndryshe s’kishte si të ndodhte. Iku me të dytën, për të mos humbur të parën.
Në fakt, kjo ikja e Dritëroit, i cili siç e thashë kryekreje më është ngulitur kahera si një i sapozbritur nga diku larg, lart, prej një vreshti të fshehur mes maleve, është si një kthim përfundimtar prej andej nga erdhi dhe ku, gjithnjë dukej sikur donte të ikte, teksa jepte e merrte, një jetë të tërë, me rrëmujat e rrëmetet e qytetit.
“O toka ime që të lërova e të thura këngë, Që të kam dashur plisin dhe barin, Që të kam fshirë me duar, me mëngë, Në ç’vend ma le varrin? Më mirë ma bëj diku në një brazdë, Apo larg mbi përrua ndofta, Mbi mua të tundë bishtin e saj një laraskë, Duke më sjellë lajme nga bota, Nga bota që e pata të mbyllur sa rrojta, E kyçur dera, me lloze porta…”
E pikërisht këtu, në këtë sallë, Dritëroi ka dhënë ndoshta shfaqjen më emocionuese të ndarjes së tij të brendshme, të jetës së tij të ndarë, mes këtej e andej portës së kyçur me lloze.
Qenia e tij, e jetuar për vite e vite në kontradiktën dramatike, mes robit të natyrës që i kishte dhuruar bujarisht fuqinë e një talenti të madh dhe personazhit robërues të skenës publike të një kohe kolere për lirinë, lëshoi këtu, mbi këtë skenë, 26 vjet më parë, një klithëm historike që e shpërtheu mu përpara syve të të gjithë botës, llozin më të rëndë të asaj porte: Partinë e Punës së Shqipërisë!
Ai lloz i rëndë ra dhe shtëpia e atyre që ëndërruan e luftuan për një botë të re, të kthyer në pengje të ëndrrës së tyre të bërë makth, u shpërbë. Por jeta e Dritëroit, vijoi të mbetet e ndarë, nga porta mes personazhit të famshëm, që qytetin me lustrat e me luspat e njerëzve e jetonte si një stacion të rrëmujshëm tranziti, ku brengën e vriste duke ngritur dolli e qesëndisur mençurisht personazhet rrotull bashkë me veten e tij, dhe njeriut thellë brenda vetes që gëzimin e derdhte në rrëketë e vargjeve që e kthenin tutje, në thellësinë e virgjër të atdheut; për të cilin ai thoshte,
“E ndjej në çdo qelizë të indit të tokës sime, E në çdo molekulë të ujrave që më lajnë, E në çdo fërfërimë ere e frymë suferine, E në çdo copë qielli që malet mbi kokë e mbajnë.”
Një brengë thuajse e pangushëllueshme, e mbante gozhduar thellë mes të dyjave, dhe unë besoj se tek vdekja ai shihte të vetmen mundësi për t’u kthyer në parajsën e natyrës, ku ishte lindur mes
“fshatarëve që u mblodhën, Faqet e parruara i ulën mbi mua Dhe thanë: Shumë ara do lërosh ti Dhe shumë ujë do pish në krua…”
Vitet që iknin vetëm e thellonin atë brengë, siç e përshkruante mrekullisht ai vetë:
“S’jam ëndërrues i krisur i viteve që ikën, Veç sonte më ka pushtuar një mall. Ç’u bë ai çuni i vogël që mbante në brez thikën, Që gdhendte shkopinj thane në mal?”
Nuk e di vërtetë çfarë arrita të them dot deri këtu dhe as nëse gjithë sa thashë, i dhanë ndopak kuptim të folurës sime duke zbatuar detyrën që ma ndalonte heshtja. Por me siguri as nuk thashë e as nuk desha të them ndonjë gjë të madhe, për personazhin hijerëndë të Dritëroit në skenën e ngatërruar të jetës shqiptare të kaq shumë viteve.
Desha thjesht të lidh ca fjalë për të nderuar njeriun që jetonte brenda personazhit të tij publik e që, hera – herës, shfaqej mahnitshëm, përmes vargjesh xixëlluese të cilat ngjajnë si pluhur yjesh mbi lumin e plot letrave monotone shqipe; apo shfaqej thjesht fort njerëzishëm kur i afrohesha pranë tavolinës, ku mbante Sadijen në krah e gotën e rakisë përpara, që thoshte se nuk e pinte më.
Do ta mbaj mend gjithmonë, pikërisht në atë pozicion, ulur në verandën e një hoteli në Pogradec, ku më tha, ‘dëshira ime më e madhe në këtë jetë është të fle dhe sapo hap sytë, jam i mbërthyer nga kjo dëshirë kaq e madhe’.
Jam i bindur që të tjerët thanë e do të thonë këtu e në të ardhmen, gjëra shumë më të rëndësishme për ta përshkruar jetën e veprën e Dritëro Agollit, se sa fjalët që munda të them unë për Dritëroin. Por duke i dhënë atij përulësisht lamtumirën, bashkë me ndjesën që po i shqetësojmë gjumin e fortdëshiruar, dua t’ju lexoj përkufizimin më të pakonkurrueshëm në vërtetësi, që është bërë apo do të bëhet ndonjëherë, lidhur me jetën e me veprën e tij.
E ka shkruar Dritëro Agolli për këtë ceremoni:
“Përjetësisht këtu fle Dritëroi Me etrit, gjyshërit dhe shokët pranë. Të mira bëri pak gjersa jetoi, Më tepër mund të bënte, po s’e lanë.”