6.8 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

“S’pati kontakte me Togon” ish-kryediplomatja flet për rastin e shtetit afrikan që çnjohu Kosovën

Nga viti 2021 kur Kosova u njoh nga Izraeli nuk ka ndonjë shtet tjetër që e ka bërë të njëjtën.  Normale do të ishte që Kosova të siguronte një njohje të re, por dje ndodhi e kundërta.  Kryediplomati i Togos gjatë vizitës në Beograd njoftoi se kanë vendosur për çnjohje. Ish-kryediplomatja Meliza Haradinaj-Stublla jep versionin e saj pse ka ndodhur kjo.

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla në një përgjigje për Gazetën Express ka dhënë versionin e saj rreth ftohjes së raporteve të Togos me Kosovën, duke theksuar se kjo lidhet me fushatën ilegale të Serbisë.

Ajo tha se Kosova ka patur shumë pak shkëmbim bilateral me Togon- shtet që ka vendosur ta njohë Kosovën në vitin 2014.

“Njoftime për të ashtuquajtura “tërheqje të njohjes” nga Togo ka patur edhe në vitin 2019, kur fushata ilegale e Serbisë me pretendimin për “zhbërje” të shtetit të Kosovës ishte në fazë intensive dhe kur lobohej ndërkombëtarisht për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe copëtimit të Kosovës. Prej asaj kohe, Kosova ka patur shumë pak (për të mos thënë fare) shkëmbim bilateral me Republikën e Togos”, tha Haradinaj-Stublla për Gazetën Express. 

Haradinaj-Stublla po ashtu vlerëson se me rikthimin e Daçiqit në krye të politikës së Jashtme të Serbisë po përdoret çdo mjet për ta dëmtuar Kosovën.

“Rikthimi i kthetrave të Daçiqit në krye të diplomacisë serbe vitin e kaluar ishte sinjal për ofensivë të re diplomatike kundër Kosovës”, tha ajo.

Ish – Ministrja e Jashtme këtë e ndërlidhë edhe me “presionet për implementimin e një asociacioni një etnik me kompetenca ekzekutive përbrenda Republikës së Kosovës”.

“ Serbia po përdor çdo mjet që ka në dispozicion, pa u kursyer edhe nga mjetet korruptive e gënjeshtrave – për të avancuar më dëmtimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, dhe me dëmtimin e asaj që diplomacia kosovare dhe aleatët tonë tradicionalë kanë ndërtuar në Kosovë që nga paslufta”

Haradonaj -Stublla Kosovën e sheh pa unitet politik ndaj Serbisë dhe me raporte të lënduara me aleatët tanë. Prandaj, sipas saj “heshtja e aleatëve ndaj ç’njohjeve duhet të na shqetësojë shumë”.  

Çfarë veprimesh duhet të ndërmarrë MPJ e Kosovës, në këtë situatë, sipas saj?

“Tash kur fushata e çnjohjeve është intensifikuar nga Serbia, MPJ e Kosovës duhet të vë komunikim menjëherë me homologët respektivë të shteteve që përfliten për “çnjohje” përmes ambasadorëve tanë jorezidentë. Nëse nuk kemi ambasadorë jorezidentë në ato shtete, gjatë bisedës me homologë t’i njoftojë ata se Kosova planifikon të emërojë një të tillë me mbulueshmëri gjeografike qoftë nga ambasada jonë e afërt, qoftë nga Prishtina”, tha ajo. 

Po ashtu thotë se duhet të fillojnë vizita zyrtare në këto shtete apo dhe t’i ftojnë homologët nga këto vende  që të vizitojnë Kosovën sa më parë.

“Komunikimi i vazhdueshëm me këshilltarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë e Bardhë dhe me emisarët që mbulojnë Evropën dhe dialogun me Serbinë duhet të jetë i ngushtë dhe i pandërprerë”.

Ajo thotë se çnjohja ka efekte të dëmshme si në anëtarësimin e Kosovës në organizata e konventa të rëndësishme ndërkombëtare.

“Ndonëse “tërheqja e njohjes” ligjërisht nuk e dobëson qenësinë e shtetit të Kosovës, efektet e dëmshme të saj shpërfaqen në praktikën diplomatike – në pezullimin e çfarëdo bashkëpunimi bilateral, në votimet për anëtarësimin e Kosovës në organizata apo aderimin në konventa të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe nuk përjashtohet as lobimi negativ në shtetet ku shteti “çnjohës” mund të ketë ndikim”, tha ish-kryediplomatja për Gazetën Express.

Ajo përmend edhe faktin se Kosova nuk mund të aplikojë reciprocitetin politik ndaj Serbisë tek fushata ilegale e ‘çnjohjeve’ dhe sipas saj kjo e bën Kosovën tepër të lëndueshme në këtë raport

“Kosova nuk mund të aplikojë reciprocitetin politik ndaj Serbisë tek fushata ilegale e ‘çnjohjeve’ dhe kjo e bën Kosovën tepër të lëndueshme në këtë raport. Kjo nuk do të thotë që Kosova nuk mund të vendosë reciprocitet asimetrik ndaj fushatës së ‘çnjohjeve’ ilegale të Serbisë si psh padia për gjenocid. Por – ky është një operacion kompleks diplomatik e politik, e lidershipi aktual i diplomacisë kosovare shihet që nuk është as i gatshëm e as kompetent për të proceduar në këtë rrugë”, shprehet ajo. 

Haradinaj-Stublla e sheh si rrezik real që fushata e Daçiqit të vazhdojë me intensitet më të lartë ndërkohë që thotë se ekipi dialogues i Kosovës duhet urgjentisht ta angazhojë MPJ’në kundër ofensivës së Serbisë.

“Ekipi dialogues i Kosovës duhet urgjentisht të ndalojë eklipsimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme nga dialogu me Serbinë, dhe t’a bëjë pjesë të rëndësishme të narratives dhe përpjekjeve ekipore kundër Serbisë. Për neve është tashmë e mirënjohur strategjia e Vuçiçit për mospërfshirje të qëllimshme të Daçiq-it në dialog – gjë që ia mundëson atij që të arsyetohet para emisarëve të dialogut se MPJ nuk është pjesë e dialogut me Kosovën, se Daçiqi vjen nga një parti tjetër në koalicion qeverisës, dhe rrjedhimisht – nuk e kontrollon fare aktivitetin e tij për “çnjohje të Kosovës”, theksoi Haradinaj Stublla.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img