Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet kyçe të Bashkimit Evropian janë duke kërkuar me ngulm që Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ndërkohë paralajmërojnë se qasja bllokuese mund t’i kushtojë Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në Bashkim Evropian.
Kështu kanë thënë në një përgjigje për “KOHA” nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë. Sipas zyrës që përfaqëson shtetin gjerman, do të jetë e vështirë që të sigurohet shumica në Këshillin e Evropës nëse Kosova do të vazhdojë të refuzojë themelimin e Asociacionit.
“Gjermania dhe partnerët vazhdimisht kanë theksuar se bisedimet për zbatimin e Asociacionit për komunat serbe duhet të fillojnë që tani, duke synuar themelimin e një asociacioni, sipas marrëveshjes përkatëse kosovaro-serbe nga viti 2013, që është plotësisht në përputhje me limitet e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Bllokimi i mëtejshëm i themelimit të Asociacionit nuk do ta bëjë më të lehtë për Kosovën arritjen e shumicës së nevojshme për aplikimin e saj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës”, thuhet në përgjigje.
Gjithashtu Ambasada Gjermane potencon se mos-implementimi i marrëveshjes së Asociacionit do të ndikojë negativisht edhe në përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në instancat e Bashkimit Evropian.
“Ajo do të përbëjë gjithashtu pengesa serioze në procesin e mëtejshëm të asocimit në BE”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane, e cila ka theksuar se shtetet evropiane janë të gatshme ta ndihmojnë Kosovën në procesin e themelimit të Asociacionit. “Sa u përket detajeve teknike, veçanërisht partnerët evropianë mund të ofrojnë mjaft ekspertizë, kur bëhet fjalë për hartimin e qasjeve të përshtatshme ligjore. Gjermania do të jetë e lumtur të mbështesë dhe të ndajë përvojat e saj në këtë fushë nëse dëshiron”, kanë shtuar tutje.