8.6 C
Pristina
Friday, January 24, 2025

Buy now

spot_img

VV e hedh topin te Duda Balje për rastin e zv.ministrit, “verdiktin” e jep Kurti pas kthimit nga Austria

Në një audioincizim të publikuar dje dyshohet se zëvendësministri i Qeverisë Kurti, Almir Veliji, është përfshirë në një aferë korruptive për një grant qeveritar. Gjersa Kurti qëndron në Austri, zyra e tij nuk ka thënë asnjë fjalë për rastin e zv.ministrit, për të cilin kërkohet shkarkimi. Dimal Basha është vetofruar për ta çuar në burg Alijin, nëse del se ka bërë diçka të paligjshme.


“… a të ka kallëzu ai sa përafërsisht munet?”…se këta pa ju dhanë diçka nuk kryejnë punë”, dëgjohet duke thënë personi që, sipas Insajderit, është Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji.

Në këtë audio-incizim, flitet për afro 70 mijë euro para të shtetit që do të jepeshin si grant qeveritar, por bashkëbiseduesit nuk arrijnë deri te pika e përcaktimit të çmimit të ryshfetit, por definohet se pa ryshfet nuk kryhet puna.

“E dëgjo, unë piva kafe me atë mbrëmë, më tha … s’po di unë burrë, me kanë me më kallzu ata p.sh me thënë qekaq”, i raporton personi X Zëvendësministrit Almir Veliji, duke i treguar hallin se nuk po di se sa para ryshfet duhet të kërkohen për grantin prej afro 70 mijë eurosh.

Ky raportim doli gjersa shefi i Velijit, kryeministri Albin Kurti është në një vizitë zyrtare në Austri. 

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se ai nuk është pjesë e partisë së tyre, ndonëse është anëtar i Qeverisë Kurti. 

Vetë zv.ministri Veliji thotë se kurrë asnjë cent nuk ka marrë nga askush, duke ftuar Policinë dhe Prokurorinë ta çojnë rastin deri në fund. 

“Jam njeriu më i pastër dhe më i lumtur dhe do të jap kontribut për qytetarët, kurrë në jetën time kurrkujt si kam marrë një cent. Nëse 1 cent i kam marrë dikujt, unë veç shkojë në burg. E këto lojëra politike nga prapa që i bën dikush është Policia është Prokuroria le ta çojnë rastin deri në fund sepse unë nuk mundem me dhënë më intervista se qeshtu ka ndodhur edhe para 2 muajve. Organet e drejtësisë le të merren me rastin, unë jam njeri më i pastër në botë”, ka deklaruar Veliji për Insajderin.

Deputeti Dimal Basha ka thënë mbrëmë në “DPT te Fidani” se zëvendësministri në fjalë nga partia Bashkimi Social-Demokrat është propozuar nga Duda Balje, që përfaqëson boshnjakët në Kuvendin e Kosovës. Express nuk ka arritur të marrë një përgjigje nga deputetja rreth deklaratave të kolegut të saj nga LV.  

Basha ka thënë se nëse del që “ai djali” ka bërë diçka të paligjshme, atëherë ai e çon në burg me veturë të vetën. 

“Nëse ka diçka, ai djali ka bo diçka të paligjshme, unë me kerr tem në burg e qoj. Çdo kush që prek çka do në qeveri, s’ka rëndësi edhe baba jem me kon, unë me kerr tem në burg e qoj. Nëse ka diçka që është e paligjshme, patjetër që kryeministri do të reagojë. Besoj se si vjen në Kosovë do ta adresojë”, ka thënë Basha. 

Autoritetet vendore kanë nisur hetimin rreth zv.ministrit Veliji. 

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka reaguar sot lidhur me këtë audio-incizim, duke njoftuar se i kanë nisur hetimet para publikimit të tij më 12 janar. 

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me audio-incizimin e publikuar ditëve të fundit nga një portal vendor, për një grant qeveritar, se para plasimit të këtyre provave në publik, në Prokurori janë deponuar audio-incizime, për të cilën çështje Prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar policinë për të grumbulluar informata dhe prova”. 

Nga prokuroria thonë se publikimi i audio-incizimit i ka vështirësuar hetimet që po i bëhen dhe ka kërkuar që të mos publikohen prova të tjera. 

“Publikimi i provave në opinionin publik që ndërlidhen me këtë çështje, na ka vështirësuar punën hetimore, andaj, me qëllim të ruajtjes së interesit të përgjithshëm të këtij rasti dhe rasteve të tjera në të ardhmen, të cilat janë në fazën e hetimeve, kërkojmë të mos publikohen prova të cilat dëmtojnë integritetin e hetimeve”, thuhet në njoftim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img