8.4 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Gjykata Speciale: Në fillim të marsit synohet të procedohet me deklaratat hyrëse në rastin e Thaçit e të tjerëve

Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), përmes platformës online “Zoom”,  ka bërë të ditur se gjatë gjatë konferencës mbi ecurinë e çështjes gjyqësore Thaçi dhe të tjerë që u mbajt më 16 dhjetor 2022, trupi gjykues bëri me dije synimin për të proceduar në këtë çështje gjyqësore me deklaratat hyrëse në fillim të marsit 2023.

Sipas saj, trupi gjykues njoftoi më tej se për ta mundësuar këtë, gjatë këtij muaji do të planifikohet një konferencë përgatitore për gjykimin, e cila do të ndiqet nga një konferencë përgatitore për Prokurorinë në muajin shkurt.

Tutje, tha se pasi të nxirren urdhrat për caktimin e datave të këtyre seancave, datat do të pasqyrohen në kalendarin e DhSK-së në internet.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se më 19 dhjetor, trupi gjykues në këtë çështje gjyqësore urdhëroi vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.  Sipas saj, trupi gjykues konstatoi se rreziqet që Thaçi dhe Veseli të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor dhe/ose të kryejnë krime të tjera ekzistojnë ende dhe nuk mund të zvogëlohen mjaftueshëm me anë të alternativave të tjera veç paraburgimit.

“Më 22 dhjetor, trupi gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë, nxori një urdhër paraprak mbi zhvillimin e gjykimit. Urdhri, që gjendet në faqen e internetit të DhSK-së, trajton aspekte lidhur me zhvillimin e gjykimit si: hapat për mundësimin e procesit të drejtë dhe të shpejtë, gjuhën e punës të çështjes gjyqësore, nxjerrjen e materialeve, redaktimet, dëshmitë e dëshmitarëve si dhe aspekte të tjera. Trupi gjykues urdhëroi palët dhe pjesëmarrësit në këtë çështje gjyqësore të dorëzojnë parashtrime apo kundërshtime me shkrim sa u takon propozimeve në urdhrin paraprak, brenda 13 janarit 2022”, tha tutje ajo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Griep bëri të ditur se më 27 dhjetor 2022, Paneli i Apelit rrëzoi apelet e ekipeve të mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, ku kundërshtonin pjesë të vendimit të mëhershëm të gjykatësit të procedurës paraprake lidhur me trajtimin e informacionit konfidencial gjatë hetimeve dhe kontaktin e palëve me dëshmitarët e palës kundërshtare.

“Më 28 dhjetor, administratorja njoftoi trupin gjykues se kishte caktuar dy mbrojtës për të përfaqësuar viktimat parashtruese, të cilëve në vendimin e katërt mbi pjesëmarrjen e viktimave u ishte rrëzuar kërkesa për të marrë pjesë në procesin gjyqësor. Në këtë vendim, gjykatësi i procedurës paraprake pranoi 21 viktima pjesëmarrëse shtesë dhe rrëzoi 20 kërkesa të tjera. Sipas Rregullores, parashtruesve që u është rrëzuar kërkesa kanë të drejtën e apelimit”, ka thënë ajo.

Gjithashtu, tha se në të njëjtën çështje gjyqësore, më 6 janar u bë publik një vendim i mëhershëm mbi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për nxjerrjen e informacionit të dëshmitarëve me status të dyfishtë. Mbrojtja e Thaçit tha se i ka kërkuar leje trupit gjykues të apelojë këtë vendim.

Kurse, bëri të ditur se në çështjen gjyqësore Salih Mustafa, në vijim të shqiptimit të aktgjykimit të trupit gjykues më 16 dhjetor 2022, mbrojtja kërkoi zgjatje të afatit për dorëzimin e njoftimit për apel. Tutje, shtoi se kryetarja e DhSK-së caktoi më 3 janar Panelin e Gjykatës së Apelit që përbëhet nga gjykatësja Mishelë Pikar, gjykatësi Kai Ambos dhe gjykatësja Nina Jorgensen.

“Trupi gjykues miratoi kërkesën e mbrojtjes pjesërisht dhe autorizoi mbrojtjen dhe prokurorinë të dorëzojnë njoftimet për apel, nëse kanë, brenda 3 shkurtit 2023. Në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, më 11 janar trupi gjykues rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për kufizimin e komunikimeve të z. Shala përpara fillimit të gjykimit. Trupi gjykues nuk u bind se masat e kërkuara do të ishin proporcionale”, ka thënë në fund ajo.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img