Agon Sadiku, futbollisti që u paraqit në dy ndeshje me Kombëtaren e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, është grumbulluar te Kombëtarja A e Finlandës.
Futbollistët e grumbulluar stërvitën tre herë në Helsinki përpara se udhëtonin drejt Portugalisë të enjten, atje ku do të vazhdojnë me kampion stërvitor.
Finlanda atje do të zhvillojë edhe dy ndeshje; kundër Suedisë dhe Estonisë, në të cilat pritet të paraqitet edhe Agon Sadiku.
Sulmuesi nga Kosova u paraqit në dy miqësore e “Dardanëve” në nëntor, kundër Armenisë dhe Ishujve Faroe, por tani nuk dihet nëse do të paraqitet më për shtetin tonë.
Ai e ka arsyetuar vendimin e tij për t’iu bashkuar Finlandës, duke thënë se Kosova nuk e donte.
“Duket sikur Kosova nuk ishte e sigurt nëse më donin atje apo jo. Shkova dhe luajta dy ndeshje, por m’u duk sikur nuk ishin të sigurt nëse duan dhe çfarë plani kanë për mua. Kam folur edhe me trajnerin e Kombëtares (Alain Giresse) dhe nuk më dukej se kishte një plan më të gjatë se kaq”.
19-vjeçari ka pranuar se është bindur nga përzgjedhësi i Finlandës, Markku Kanerva, për t’iu bashkuar Kombëtares finlandeze. Ai gjithashtu tha se nuk ka vendosur ende se cilin shtet do ta përfaqësojë, por theksoi se “nuk ka kaluar mirë në Kosovë”.
“Ne folëm me Markkun. Do të shoh si do të jetë dhe më pas do të marr një vendim përfundimtar (për përfaqësimin e kombëtares). Dhe siç thashë, ishte pak konfuze dhe nuk kalova mirë atje (në Kosovë), dhe Marku kishte një plan vërtet të mirë për të ardhmen time. Kështu që tani i besoj atij” u shpreh Sadiku.
Agon Sadiku është pjesë e skuadrës nga elita e futbollit finlandez, Honka.