Një DVR (regjistrues videosh) është gjetur në shtëpinë e një prej personave të arrestuar, pjesë e grupit të Kobrës, në lidhje me vrasjen e Visart Cengut.
Dyshohet se ajo video regjistruese të jetë ajo që është zhdukur nga lokali “Kobra City” në Prizren, natën kur ndodhi krimi, ku besohet se janë ruajtur materialet filmike të kamerave të sigurisë që mund të hedhin dritë mbi ngjarjen, nga motivi i nisjes së konfliktit, deri tek të shtënat që morën jetën e Cengut dhe plagosën mikun e tij Rufgen Shehu.
Nga ana tjetër në banesën e autorit kryesorë të dyshuar, Dibran Hoxhajt, (Kobra), është gjetur një kasafortë e cila pritet të hapet përmes një procedure të veçantë, edhe në pranin e agjentëve anti-eksploziv. Sasi municionesh dhe një granatë dore, i janë bashkëngjitur dosjes hetimore si prova të vlefshme që mund t’i shërbejnë hetimeve.
Ditën e djeshme, të enjten 5 janar, Gjykata Themelore e Prizrenit la në burg për 30 ditë Dibran Hoxhajn dhe pesë personat e tjerë të arrestuar mbi ngjarjen e rëndë.
Prokuroria dhe Policia e Kosovës janë të rezervuara mbi motivet e sakta të konfliktit, dhe në vendimin e masës së sigurisë së gjykatës nuk përmendet shkëndija e parë e përplasjes. Mediat e Kosovës raportuan për konfliktin e nisur për faturën 400 euro, por një gjë e tillë kundërshtohet me forcë nga familjarët e viktimës. Ata deklarojnë gjithashtu se presin drejtësi nga gjykata në Prizren, por nuk harrojnë të përmendin se nëse “Kobra” del nga burgu, me siguri do të ketë reagim.
Visart Cengu i cili kishte ardhur në vendlindje nga Franca, Rufgen Shehu dhe Arben Basha, të tre miq me njëri-tjetrin, shkuan në Prizren në “Kobra City” për të festuar Vitin e Ri, por dolën nga aty njëri i vdekur e tjetri i plagosur. Pasi u konfliktuan në lokal me stafin shkuan drejt makinës në parking për t’u nisur drejt Kukësit, por pronari Dibran Hoxhaj i ndoqi dhe qëlloi me armë zjarri tre herë drejt tyre./Express/