Ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri ka thënë se Kosova dhe Serbia mund të bëhen fqinje të mira nëse e njohin njëra tjetrën si shtete të pavarura.
Këtë deklaratë Ministrja Tahiri e ka dhënë në një takim me ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki, me të cilën po ashtu ka diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, duke i shprehur ambasadores shqetësimet për provokimet destabilizuese të kohëve të fundit nga ana e Serbisë.
“Fqinjësia e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet, por çelësi është te njohja e ndërsjellë mes dy shteteve”, theksoi ministrja Tahiri.
Ndërkaq, ambasadorja finlandeze, e ka rikonfirmuar qëndrimin e shtetit të saj për Kosovën dhe ka thënë se Finlanda e mbështetë fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian dhe strukturat euroatlantike.